Aplikacion
Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qyteteve Lezhë dhe Durrës, duke sjellë bllokim dhe vështirësi në qarkullim.
Në Lezhë, situata më e rëndë paraqitet në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra.

Pamje nga Lezha
Kjo ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe mjeteve, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe prindërit e nxënësve.
Ndërkohë, në qytetin e Durrësit, reshjet e orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona urbane. Situata paraqitet veçanërisht e rënduar në kryqëzimet kryesore, ku uji ka mbuluar rrugët dhe trotuaret, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin që në orët e para të mëngjesit.

Pamje nga Durrësi
Në disa lagje të Durrësit, uji ka depërtuar në hyrjet e pallateve dhe bizneseve buzë rrugës, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim për banorët. Qytetarët raportojnë se rrjeti i kanalizimeve nuk ka përballuar sasinë e reshjeve, çka ka përkeqësuar situatën në qytet.
Një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit, pasi banesa është përmbytur.
Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani thotë se edhe pse hidrovoret janë në funksionim të plotë, situata mbetet e rënduar në shumë zona të Durrësit, ndërsa rekomandohet që të shmangen lëvizjet deri në qetësimin e situatës. / Zoom.al