zoom

Aktualitet

(VIDEO) Durrësi nën ujë, evakuohet një familje. Bllokohet autostrada, policia apel qytetarëve

(VIDEO) Durrësi nën ujë, evakuohet një familje. Bllokohet autostrada, policia apel qytetarëve

Situata në qytetin e Durrësit paraqitet tepër e rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit.

Përmbytjet kanë shkaktuar probleme serioze në disa lagje, duke detyruar edhe evakuimin e një familjeje nga zona e ish-Kënetës, pasi banesa është përmbytur. Familja është sistemuar përkohësisht në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit.

Në videon e mëposhtme shihet se si qyteti është zhytur në kaos total:

Për shkak të përmbytjeve, qarkullimi i mjeteve është vështirësuar edhe në rrugën interurbane Tiranë–Durrës. Në hyrje të qytetit, pranë një karburanti, uji ka mbuluar të dyja anët e rrugës, duke e bërë të pamundur lëvizjen normale të automjeteve. Disa automjete janë fikur në mes të rrugës, duke vështirësuar më tej lëvizjen në këtë aks të rëndësishëm kombëtar.

Për të shmangur trafikun dhe rrezikun e aksidenteve, Policia Rrugore ka vendosur devijime të qarkullimit. Automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës do të qarkullojnë përmes Rrugës së Plepave deri në Ndroq dhe më pas nga aksi “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërsa për drejtimin Durrës, automjetet do të kalojnë nga rruga e universitetit drejt Spitallës dhe më pas në aksin “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të ndjekin udhëzimet e efektivëve në terren dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore./ Zoom.al

Postime të lidhura