zoom

Të gjitha

Rrëfimi i të penduarit italian: Një ministër shqiptar “bekonte” trafikun e drogës

Rrëfimi i të penduarit italian: Një ministër shqiptar “bekonte” trafikun e drogës

Një ministër shqiptar, dyshohet se ka mbështetur trafikun e drogës mes mafies shqiptare dhe asaj italiane.

Një i penduar, ish-anëtar i organizatës ‘Ndrangheta’, ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, duke rrëfyer emra e ngjarje që zbardhin trafikun e drogës.

Bëhet fjalë për transport të lëndëve narkotike marijuanë, kokainë e hashashit, nga Brazili e Shqipëria drejt Italisë së Veriut e në veçanti në rajonin të Piemontes.

I penduari quhet Antonio Guastalegname, 54 vjec, i arrestuar në kuadër të megaporcesit “Rinascita Scott”, i cili ka vënë nën hetim mbi 350 persona dhe përmban rrëfimet e dhjetëra bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Sipas medias italine, ‘calabria7.it’, Guastalegname ka nisur të bashkëpunojë me hetuesit italianë që nga janari 2022, duke treguar episode në lidhje me Shqipërinë.

Në albumet fotografike të shfaqura nga Drejtoria e Antimafias, Antonio Guastalegname, ka njohur krahun e djathtë të bosit mafioz të “Zungri”-t, Antonio Giuseppe Accorinti, i cili ka bazën e tij operative në rajonin e Toskanës.

Personi i identifikuar në këtë fotografi, i quajtur Valerio Navarra, sipas rrëfimit të të penduarit Guastalegname, kishte lidhje të ngushta me elementë shqiptarë.

Navarra, sipas të penduarit, që i referohet “calabria7.it’, kishte kontakte me subjektet shqiptare.

“Ky i fundit, – thotë Guastalegname në dosjen hetimore, – kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”.

Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se e ka mësuar nga një farë Eduardi apo Roberti gjatë një udhëtimi në aksin Firence-Bolonja.

“Më propozoi ta shisja direkt drogën, pa ndërmjetës në stadiumet e Piemontes. Dhe për të më joshur, nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin importet e ‘barit’, duke besuar në ‘mbështetjen e qeverisë shqiptare’ (shprehja e tij), ku mund të përballonin transporte të mëdha pa frikë nga kontrollet“.

Për hetuesit, do të ishte Robert Lazaj, i lindur në Shqipëri në vitin 1972. I njëjti që Guastalegname e njeh në foto.

“Konfirmoj, – nënvizon ai, – se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërmi i ministrit të qeverisë shqiptare që ka siguruar mbulimin e këtyre trafiqeve”.