Aplikacion
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë masash për kompanitë Vodafone Albania dhe One Albania, pas përfundimit të hetimit në tregun e telefonisë celulare.
Sipas vendimit, brenda 90 ditëve të dy operatorët do të duhet të nxjerrin paketa më të lira për pensionistët dhe studentët e moshës 18-23 vjeç. Gjithashtu, paketa më ekonomike duhet të jetë e disponueshme edhe në dyqanet fizike, jo vetëm përmes aplikacioneve.
Autoriteti kërkon gjithashtu që abonentët të njoftohen të paktën 30 ditë përpara për çdo ndryshim të çmimeve ose paketave. Pas përfundimit të kontratës, klientët duhet të kenë mundësinë të kalojnë në një paketë më të lirë pa penalitete.
Hetimi zbuloi se gjatë periudhës së analizuar kishte rritje të ngjashme të çmimeve nga të dy operatorët, paketa pothuajse të njëjta dhe më pak oferta me çmime të ulëta.
Vendimi synon t’u japë konsumatorëve më shumë transparencë, më shumë zgjedhje dhe oferta më të favorshme, veçanërisht për shtresat me të ardhura më të ulëta.
Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë zbatimin e këtyre masave për një vit. Nëse Vodafone Albania ose One Albania nuk i zbatojnë detyrimet, do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
Si u shpëtua Rozalinda Plaka, shefi i policisë zbulon momentet e negociatave me Refit Buzin