zoom

Lajme

”Po dëmton procesin e integrimit”- Rama fajëson opozitën: Gënjejnë! Shkojnë në Bruksel dhe lehin

”Po dëmton procesin e integrimit”- Rama fajëson opozitën: Gënjejnë! Shkojnë në Bruksel dhe lehin

Kryeministri Edi Rama, në një takim me socialistët në Lushnjë, ka kritikuar ashpër opozitën, duke e akuzuar se me qëndrimet e saj në Bruksel synon të dëmtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, një sjellje e tillë nuk është parë në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.

Ai u shpreh se opozita shqiptare “gënjen vazhdimisht” kur flet për bllokim të negociatave me BE-në, duke theksuar se procesi vijon sipas një kalendari të dakordësuar me Komisionin Europian.

“Maqedonia ka qenë në luftë të madhe politike dhe në prag konfliktit civil, por nuk ka bërë vaki të vijë opozita maqedonase në Bruksel duke u lutur ndalojeni Maqedoninë. Mali i Zi ka probleme të harmonisë etnike nuk ka bërë vaki të vijë opozita malazeze në Bruksel, ata kanë përfaqësinë e tyre me 50 veta, mijëra njerëz në Bruksel, shkojnë këta dhe u thonë atyre ça ndodh në Shqipëri. Bullgaria nuk ka paqe me zgjedhje stërzgjedhje. Por nuk ka ndodhur që partitë të nisen pas Berihajit dhe të bëjnë copash vendin e tyre. Këtë e bëjnë vetëm, ata që nuk i kemi përballë, i kemi prapa, gjithmonë e më prapa. Por ama, nuk ndodhin këto gjëra. Nuk dalin njerëzit nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj. I gënjen mendja se na mundin ne këtu duke dalë në TV jashtë shtetit, duke lehur në Bruksel. Sa më shumë e bëjnë këtë gjë, aq më shumë do zhyten. Jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën progres“, u shpreh kryeministri.

Rama përmendi gjithashtu zhvillimet ekonomike të vendit, duke deklaruar se Shqipëria ka kaluar nga një ekonomi prej më pak se 10 miliardë euro në rreth 27 miliardë euro aktualisht, ndërsa synimi sipas tij është 35 miliardë euro në vitin 2030. Ai shtoi se paga mesatare është rritur në rreth 870 euro, ndërsa në sektorin publik ka kaluar 1000 euro, duke theksuar edhe indeksimin e pagave ndaj inflacionit.

Sipas tij, opozita do të vazhdojë me të njëjtën retorikë edhe në të ardhmen, pavarësisht progresit të vendit në procesin e integrimit europian.

“Prapë, edhe për këtë fazë, që do të mbyllet në vijim, kur të mbyllet do të ndodhë si me Bordin e Paqes, si me flamurin gjerman dhe siç ka ndodhur gjithmonë. Gënje sa të mundesh e kë të mundesh, mundësisht gënje sa më shumë, gënje orë e çast se diçka do të mbetet se gjë tjetër nuk di të bëjnë“, tha Rama.

Postime të lidhura