zoom

Lajme

Pas “pasaportave të arta”, PS propozon lehtësim të shtetësisë për të huajt për interes shtetëror

Pas “pasaportave të arta”, PS propozon lehtësim të shtetësisë për të huajt për interes shtetëror

Mazhoranca socialiste po tenton sërish të ndryshojë rregullat për dhënien e shtetësisë shqiptare, duke propozuar lehtësim të kritereve për shtetasit e huaj në raste të cilat konsiderohen me “interes shtetëror”.

Nisma është depozituar në Kuvend nga deputeti i PS-së, Taulant Balla, dhe parashikon ndryshime në ligjin “Për shtetësinë”, konkretisht në nenin që lidhet me natyralizimin në raste të veçanta.

Sipas projektligjit, shtetasit e huaj mund të përfitojnë nënshtetësinë shqiptare edhe pa përmbushur kriteret standarde, si koha e qëndrimit apo njohuritë për gjuhën dhe historinë, nëse konsiderohen të dobishëm për interesat e shtetit shqiptar.

Ndryshimi kryesor që propozohet është zgjerimi i konceptit të “interesit shtetëror”. Në draft, ky interes përkufizohet si nevoja e shtetit për të krijuar një lidhje të qëndrueshme me individë që kanë aftësi, cilësi apo veprimtari të dobishme, qoftë në sektorin publik apo privat.

Projektligji parashikon gjithashtu që çdo aplikim i tillë duhet të mbështetet nga një ministër i qeverisë, i cili garanton përpara Presidentit ekzistencën e interesit shtetëror për rastin konkret.

Kjo nismë vjen në një kontekst të ndjeshëm, pasi lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian të Shqipëria dhe standardet e vendosura nga Bashkimi Europian mbi çështjet e shtetësisë dhe sigurisë.

Një përpjekje e mëparshme e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama për të futur skemën e njohur si “pasaportat e arta” u tërhoq në vitin 2022, pas kundërshtimeve të forta nga Komisioni Europian, i cili e konsideroi këtë praktikë të rrezikshme dhe të papajtueshme me legjislacionin e BE-së.

Ndryshimet e reja pritet të shqyrtohen në Komisionin për Çështjet Ligjore gjatë muajit prill, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të kalojnë pa kundërshtime, duke pasur parasysh debatet e mëparshme mbi këtë çështje.

Për herë të parë, nisma e pasaportave të arta u përmend nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2019.

“Unë besoj fuqishëm se kjo është mënyra e duhur dhe ajo që duhet të bëjmë. Sigurisht, ka rreziqe, por ne nuk mund t`ia mohojmë vendit tonë dhe së ardhmes sonë potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”, u shpreh Rama gjatë Konferencës Botërore për Nënshtetësinë në Londër, që u mbajt në nëntor të 2019-ës.

Nga opozita shqiptare kishte vazhdimisht reagime kundër, ndërsa çështja mori vëmendje më të madhe këtë muaj, kur ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, i dorëzoi zëvendëskryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku, Raportin e Progresit për vitin 2022, duke shprehur qartazi qëndrimin kundër “pasaportës së artë shqiptare”./ Zoom.al

Postime të lidhura