zoom

Lajme

Berisha: Rama po zëvendëson pasaportën evropiane me pasaportën e Serbisë

Berisha: Rama po zëvendëson pasaportën evropiane me pasaportën e Serbisë

Kreu i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për situatën e çmimeve të karburanteve dhe për ngërçin në procesin e integrimit europian.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal fillimisht te çmimi i naftës, duke pretenduar se barra fiskale në Shqipëri është shumë e lartë. Sipas tij, taksat përbëjnë një pjesë të madhe të çmimit final, duke rënduar drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe fermerët. Ai e cilësoi ndërhyrjen e qeverisë për uljen e akcizës si të pamjaftueshme dhe pa ndikim real në lehtësimin e kostove.

Më tej, lideri i opozitës ngriti shqetësimin për ecurinë e integrimit të vendit në Bashkimi Evropian, duke kundërshtuar pretendimet se opozita është shkak i bllokimeve. Sipas tij, problemet lidhen me qeverisjen dhe çështje që, sipas Berishës, ndikojnë në besueshmërinë e vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ai deklaroi se numri i vendeve skeptike ndaj progresit të Shqipërisë është rritur, duke e parë këtë si sinjal negativ për procesin integrues. Në këtë kontekst, Berisha akuzoi qeverinë për devijim nga prioritetet europiane dhe për politika që, sipas tij, nuk përputhen me standardet e kërkuara.

Më herët, Edi Rama sulmoi opozitën, e cila sipas është fajtore pse Evropa ka ndaluar negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Në podkastin “Flasim”, ai kritikoi opozitën për mënyrën se si prezanton zhvillimet në vend, duke theksuar se shumë çështje të rëndësishme për Shqipërinë identifikohen vetëm me “një luftë mizerabël politike

Fjala e Berishës:

Së pari, të dashur qytetarë dhe qytetare, ju uroj dhe njëherë nga zemra gëzuar Pashkën, Pashkën tjetër më mirë ta festojmë. Së dyti, jam sot para jush sepse nuk ngurroi as ditën e Pashkës të ligjërojë monologun e tij të mashtrimit. Edi Rama sot u rrek përsëri të mashtrojë shqiptarët lidhur me çmimin stratosferik të naftës. E vërteta dhe njëherë ta dini të dashur qytetarë, se kjo qeveri ka vendosur mbi naftën, taksën absolutisht më të lartë në botë. Kjo qeveri takson si asnjë qeveri tjetër e planetit, 60% të çmimit me të cilin shitet nafta në treg dhe merr në çdo litër naftë 1.1 euro.

Lëvizja që pretendon me akcizën, është një tallje. Sipas tij, ajo hyn në fuqi kur nafta tejkalon 220 Iekë për litër, ndërkohë që përgjysmimi i barrës fiskale, i taksave mbi naftën, do të ishte rruga e vetme për të ulur çmimin e saj dhe për ta mbajtur atë në nivele të përballueshme nga qytetarët shqiptarë, nga fermerët shqiptarë, për ta mbajtur atë në nivele të kontrollueshme edhe për çmimet e tjera.

Së dyti, përsëri, ai fajësoi për bllokimin e raportit të IBAR, de facto të negociatave me Bashkimin Europian, për shkak të çështjes Balluku dhe AKSHI, ku autor kryesor është Edi Rama, që përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur veten nga dosja Balluku.

Së pari u përpoq të fajësojë opozitën. Së dyti, hodhi poshtë, mashtroi, se ka një bllokim apo ka një mosvotim të raportit të IBAR. E vërteta është kjo të dashur qytetarë: Opozita nuk është shkaku i bllokimit të votimit të raportit IBAR. Shkaku i vërtetë është vota me 83 mandate krimi, mburojë e korrupsionit të Edi Ramës, Lub Ballukut dhe rrethit të tij familjar dhe zyrtar.

Dhe unë ju garantoj, se ky bllokim do bëhet gjithnjë e më i fortë. Mos harrojmë se para 3 javësh ishin 4 vende, ato të cilat bllokuan votimin e raportit IBAR. Me datën 1 prill, nuk ishin më 4 vende, por ishin 9 vende, një pjesë e mirë e të cilave janë pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Pra, edhe njëherë, me Edi Ramën, integrim nuk ka. Edi Rama është një armik i egër, i cili, po zëvendëson integrimin e vërtetë në Bashkimin Europian, me integrimin e tij me Beogradin. Po zëvendëson pasaportën evropiane, me pasaportën e Serbisë.

Së fundmi, foli dhe për fermerët, të cilët janë në një rënie të lirë dhe falimentim të papërmbajtshëm, të pandalshëm. E gjithë skema, i gjithë qëndrimi i kësaj qeverie ndaj fermerëve, si në sistemin fiskal, ashtu edhe në subvencionet, dhe tani së fundi në çmimin stratosferik të naftës, është një praktikë kryekëput falimentimi.

Data 17 prill, është dita që çdo qytetar duhet të dëshmojë zemërimin e tij, revoltën e tij, ndaj kësaj qeverie, e cila po bën gjithçka për të mbijetuar, që të vjedhë, të plaçkisë, edhe më shumë shqiptarët./ Zoom.al

Postime të lidhura