Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi virtual të zhvilluar me qytetarët këtë të shtunë, ka komentuar situatën e rritjes së çmimeve në vend, duke drejtuar kritika ndaj qeverisë.
Ai akuzoi ekzekutivin se, sipas tij, po tenton të zbusë pakënaqësinë e pensionistëve me masa të pamjaftueshme, duke përmendur si shembull bonuset mujore që, sipas tij, janë shumë të ulëta dhe nuk ndikojnë në përballimin e jetesës.
Berisha u ndal edhe te kostot e larta të prodhimit në bujqësi, duke thënë se fermerët shqiptarë blejnë karburantin me çmime shumë të larta, çka, sipas tij, e bën të pamundur konkurrencën dhe rrit rrezikun që shumë toka të mbeten të papunuara.
Në deklaratën e tij, ai bëri një krahasim mes fermerëve dhe subjekteve të mëdha ekonomike, duke pretenduar se disa kategori përfitojnë çmime shumë më të ulëta për karburantin, ndërsa fermerët përballen me kosto disa herë më të larta.
“Miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë.
Ky është një qëndrim cinik, një qëndrim i pashpirt, siç është i pashpirt dhe cinik qëndrimi ndaj pensionistëve, të cilëve ua mbajti bonusin që duhej t’ua jepte që në janar, dhe tani doli kokoshi i katandisur në thelë, u jep 8 euro për shumicën dhe për një pjesë të vogël të tyre shtesa është gjithsej 18 euro.
Pra u jep shumicës së pensionistëve dy kile domate në shtesë mujore.
Kjo është një tallje të cilën e bëjnë ata që nuk kanë ndjenja, shpirt, zemër njeriu, por shohin vetëm pasurimin e tyre”, u shpreh Berisha./ Zoom.al