Aplikacion
Më 5 qershor një pronar i një lokali në Ksamil nisi të hetohej në gjendje të lirë pasi prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat dhe orarin e lejuar. Për të kuptuar sa rëndësi po i kushtonte shteti këtij fenomeni policia bëri një njoftim të posaçëm.
Edi Rama e kishte thënë që në vitin 2021 që, “nga nesër muzika nuk do të lejohet pas orës 23:00”. Por “nesër-a” e tij po i ngjan përditë asaj të borxhit të Nastradinit.
Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Turizmit e përsëritën ultimatumin këto ditë. Por ajo që ndodh në ralitet është një fenomen që, shumë kritikë po thonë prej kohësh: miratimi i rregullave apo ligjeve të veçanta për t’i përdorur ato në mënyrë selektive, në mënyrë për të dëmtuar disa “të padëshiruar” dhe për të favorizuar “miqtë e klientët”.
Kjo po ndodh me rregullat për muzikën nëpër lokalet e plazheve.
Dy lokale të njohur në zonën e Dhërmiut dhe Jalit, që Zoom.al i ka dënoncuar edhe sezonin e kaluar, po zhurmojnë me sa munden në bregdetin e jugut. Jo vetëm shkelin ligjin hapur, jo vetëm prishin qetësinë, por po shkatërrojnë edhe lokalet e tjera në të gjithë bregdetin e jugut.
Dhjetëra denoncime kanë mbërritur në redaksinë tonë, për shkak se Zoom.al ka qenë thuajse i vetmi që u ka dhënë zë shqetësimeve të pushuesve që kanë rezervuar në hotelet apo resorte pranë këtyre lokaleve, pa mundur të pushojnë në qetësi. Denoncuesit thonë se kanë telefonuar edhe policinë disa herë, por situata nuk ndryshon.
Refreni është i njëjtë, si një vit më parë: “Pronarët, Xhillari i Folie Marine dhe këta që kanë Moyo, janë miqtë e Edi Ramës”.
Për denoncimet, në një vend ku çdokush akohet për gjithçka, ka gjithmonë rezerva, por jo në rastin kur nuk gjen dot përgjigje për pyetjen se, “përse këto dy lokale lejohen të bëjnë muzikë ndryshe nga qindra të tjerë në të njëjtin bregdet?”
Zoom.al i ka drejtuar disa pyetje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të kuptuar se çfarë po ndodh me rregullat, përse ato nuk zbatohen njësoj për të gjithë dhe përse policia e shtetit nuk i procedon penalisht përgjegjësit ashtu siç bëri me pronarin e lokalit në Kasmil. Çfarë ka ndryshe një biznesmen i Ksamilit dhe dy biznesmenët që kanë Moyo-n dhe Folie Marine-n përveçse dy të fundit kanë njohje të drejpërdrejtë me Edi Ramën?
Si në shumë raste të tjera, pushteti qëndror është nën akuzë publike se po përdor ligjin me butësi për të favorizuar klientët e qeverisë dhe me dorë të hekurt për të goditur inciativat e pavarura nga politika.
Ky është rasti më flagrant i asaj që po ndodh në jug të Shqipërisë, në vijën bregdetare të Dhërmiut dhe Jalit, ku të gjithë “beach bar-et” detyrohen të mbyllin muzikën në mesnatë, ndërsa “Moyo” dhe “Folie Marina”, që gëzojnë statusin e paprekshmërisë, vijojnë të bëjnë biznes duke shkelur ligjin e duke shqetësuar pushuesit. Muzika e tyre buçet deri në orët e para të mëngjesit, sigurisht me bekimin e qeverisë dhe të Policisë së Shtetit. Dhe askush nuk guxon t’i prekë. Përndryshe, do të kishin fundin e pronarit të lokalit të Ksamilit.
Ky pazar mes politikës dhe biznesit të plazhit, po vjen me kosto të madhe.
Zoom.al ka marrë me dhjetëra denoncime edhe nga pronarë lokalësh që nuk kërkojnë asgjë më shumë veçse trajtim të barabartë. Nuk kërkojnë favore, por zbatim të ligjit njësoj për të gjithë. “Përdorimi i ligjit për të favorizuar vetëm këto dy lokale, po na falimenton ne dhe shumë të tjerëve si ne që kemi investuar gjithçka në këto biznese” – shkruan pronari i një lokali në Dhërmi.
Siç shihet me atë që po ndodh çdo verë me këto dy lokale, në Shqipëri, për të bërë biznes, qoftë edhe me lokale prej kashte, nuk mjaftojnë ligjet e rregullat dhe as të paguash taksat, por duhet të njohësh Edi Ramën. Siç pohon një tjetër denoncues “ai i ka në dorë të gjitha në këtë vend”. /Zoom.al