Aplikacion
Katër orë me radhë gropa që duken si kraterë granate. Asfalt i pabarabartë, kur ka. Gurë dhe pemë që godasin me kërcënim karrocerinë. Tundimi për të hequr dorë dhe për t’u kthyer mbrapsht është i madh. Dhe pastaj papritur: asfalt i ri, i shtruar dhe i shënuar në mënyrë perfekte. Marr frymë thellë dhe shkel gazin.
Asnjë makinë tjetër nuk ka ardhur deri këtu, e kemi gjithë autostradën vetëm për vete. Është kjo një dhuratë nga qielli? Apo thjesht vepra e ndonjë zyrtari të korruptuar, që ka zhvatur ndonjë fond europian këtu? Pas pak minutash vjen përgjigjja: autostrada përfundon papritmas dhe pa asnjë shenjë në një shteg të pashtruar, të ndërprerë nga kanione të vegjël të shumtë, që shiu i fundit ka gërryer. Arrijmë të frenojmë në kohë.
Gropa dhe një rrugë shtetërore e shënuar gabimisht në Google Maps: me këtë duhet t’i bësh llogaritë kur nisesh për një roadtrip në Shqipëri. E megjithatë ia vlen të eksplorosh këtë vend të vogël ballkanik me makinë, një vend që nuk është më i madh se Brandenburg-u. Një vend xhuxh, që ofron gjithçka, nga plazhet e Adriatikut deri në malet alpine, nga kishat ortodokse deri te xhamitë osmane.
Një makinë me qira e merr lehtësisht dhe relativisht lirë në Shqipëri. Për më tepër, shumë shqiptarë në hotele dhe lokale flasin gjermanisht, italisht ose anglisht. Kush është gati të përballet me trafikun kaotik të Tiranës apo Durrësit dhe me rrugët e pashtruara të brendësisë, shpërblehet bujarisht: me fshatra piktoreskë, brigje të thikta marramendëse dhe pamje mahnitëse mbi Rivierën Shqiptare. Gjatë rrugës ka plot mundësi për të zgjeruar horizontin.
Mësimi 1: Mos u mbështet te Google Maps
Rrugët e këqija të Shqipërisë nuk janë pa shkak. Vendi ka një histori të trazuar dhe tragjike. Kur diktatura staliniste e Enver Hoxhës u rrëzua më 1990, vendi mesdhetar u zhyt në kaos pothuajse të ngjashëm me luftë civile, prej të cilit u rimëkëmb ngadalë.
Sot Shqipëria është shtet kandidat për BE, ku përparimi i vrullshëm dhe gjendjet paraindustriale përplasen pa mëshirë. Kështu ndodh që rrugë të shtruara nuk figurojnë ende në Google Maps, ndërsa shtigje të pasigurta mund të shënohen si autostrada. Megjithatë, turizmi është rritur fort vitet e fundit. Edhe pse marketingu i destinacionit është ende në zhvillim, vendi është kthyer nga thashethemet dhe propaganda gojë më gojë në një këshillë jo më kaq sekrete për pushime. Përveç peizazheve, udhëtarët lavdërojnë çmimet e lira dhe mikpritjen e pafund shqiptare.
Kështu e binda edhe gruan time për këtë udhëtim. Me traget nga Italia përtej Adriatikut në Durrës, atje marrim me qira një makinë dhe nisim jugun e vendit. Stacioni i parë është Berati, qytet me arkitekturë osmane, më pas ndjekim lumin Vjosa (lumi i fundit i egër i madh në Europë) deri në burimet termale të Përmetit. Prej andej janë vetëm disa kalime malore deri te brigjet e thikta të Rivierës Shqiptare me plazhet e saj të gjata.
Për të ecur përpara, nuk duhet të mbështetesh vetëm te hartat digjitale, por edhe herë pas here te këshillat e vendasve.
Mësimi 2: Makina të shtrenjta – temë e ndjeshme
Automjeti ynë është një Citroën C1 i vogël dhe i kuq. Me të, në qytetet shqiptare dukesh si i varfër. Në rrugën për Berat ndesh pothuaj vetëm SUV luksozë. Marka gjermane si Mercedes, BMW dhe Audi janë më të dashurat. Në fshatra, ndërkohë, qarkullojnë ende makina të vjetra.

Këto “makina të bosëve” krijojnë një kontrast të çuditshëm me fasadat e rrënuara të shtëpive. Shqipëria, me një GDP për frymë rreth 10.000 dollarë, është një nga vendet më të varfra të Europës; 4,5 përqind e popullsisë është e kequshqyer, shumë shtëpi mbeten skelete të papërfunduara. Nga vjen ky “bollëk” makinash?
Një BMW X5 e bardhë ndalet para nesh, prej saj zbresin tre djem të rinj shtatlartë e me nofulla masive. Pyetja ime e ndrojtur nuk i bën për të qeshur:
“Shiko rrugët. Këtu duhen makina të mëdha e të forta.”
Një argument bindës. Dhe përballë pamjes së tyre, nuk nevojiten pyetje të tjera.
Mësimi 3: Mos merr pasagjerë të panjohur natën
Në mbrëmje, afër Beratit, shohim se për disa njerëz rrugët e këqija janë një avantazh. Sa më shumë errësohet, aq më shumë shfaqen në dritën e fenerëve: burra të moshuar e të tharë, të vetmuar në rrugë. Ne i ofrojmë vend një plaku me xhaketë të vjetër. Ai përsërit një fjalë që mezi e gjejmë në hartë. Një buzëqeshje, një gisht lart. Komunikim i thjeshtë.
Në destinacion, plaku falënderon, por kur tenton të hapë derën, diçka kërcet. E kuptoj se bllokimi për fëmijë është aktiv. Hap derën nga jashtë – ai largohet, por pas lë brenda makinës dorezën e thyer të derës. Lamtumirë kaucion i makinës me qira.
Mësimi 4: Enver Hoxha? Njeri i mirë
Tomori, mikpritësi ynë në Berat, ka më shumë fat. Pensioni i tij është vetëm 200 euro në muaj, por ka një shtëpi të bukur në qendër historike që e jep me qira për turistët. Me ato para bleu biçikletë dhe i financoi djalit studimet në Tiranë.

“Edhe unë do kisha dashur të udhëtoja,” thotë, “por ishte e pamundur.” Nën diktaturë dëgjonte fshehurazi radio italiane. Sot flet rrjedhshëm italisht.
Enver Hoxhën e konsideron ende njeri të mirë. “Në socializëm, secili kishte një të ardhur. Nuk kishte drogë, nuk kishte krim. Sot, të gjithë ata djemtë me SUV luksozë – mendoni ku e gjejnë paranë. Flenë me armë nën jastëk.”
Atij i mjafton biçikleta.
Mësimi 5: Edhe makinat e vjetra vlejnë si status
Nga Berati shkojmë drejt maleve të Përmetit. Tek burimet termale të Bënjës (25–30 gradë) këmbët e lodhura pushojnë. Në sfond, ura prej guri e shek. XVIII të jep ndjesinë e një udhëtimi në kohë.

Rruga drejt Adriatikut kalon përmes tufave të deleve e mureve prej guri. Sa më thellë në provincë, aq më pak SUV shikon – edhe pse aty duhen më shumë. Në vend të tyre, hasesh me njerëz mbi gomerë ose traktorë të vjetër.
Kudo shohim se makina është status. Edhe një Mercedes i vjetër mbahet me shkëlqim. Në çdo lagje ka lavazhe. Një pronar lavazhi e shpjegon kështu: “Shqiptarët punojnë jashtë, jetojnë sa këtu, sa atje. Shtëpia bëhet dytësore, makina merr rëndësi më të madhe.” Shqipëria është vend emigrantësh, remitancat janë oksigjeni i ekonomisë. Dhe makina, simbol i mobilitetit, merr status të shenjtë.
Mësimi 6: Beso te mikpritja
Në fund të udhëtimit na ndal policia. Është pasdite vonë, dritat e makinës nuk i kishim ndezur. Oficeri kërkon lejen e qarkullimit. Kam vetëm një leje të përkohshme italiane, e pavlefshme këtu. Ai më sheh, pyet: “Turist?” Pohoj. “You can go.”
Kjo është mikpritja shqiptare që na shpëton edhe një herë. Për të, për peizazhet dhe për kuzhinën e nënvlerësuar shqiptare, ky udhëtim ia ka vlejtur plotësisht.
Policia jo vetëm turistët i kursen. Nga të shumtat kontrolle, kurrë nuk pamë ndonjë SUV të ndalur. Gjithmonë pre e policëve ishin makinat e vogla. Dhe kjo nuk është për t’u habitur.

Këshilla dhe informacione
Si të marrësh me qira makinë? Në qytete gjen shumë kompani, mes tyre Sixt, Europcar apo Avis. Kompanitë vendase shpesh janë më të lira, por duhet kontrolluar paraprakisht reputacioni i tyre. Rekomandohet sigurim “Full-Casco” me pjesëmarrje të vogël. Një makinë me lartësi të madhe nga toka të rrit shanset të arrish destinacionin.
Me makinën personale? Mund të hysh pa problem. Duhet certifikata e regjistrimit dhe karta e gjelbër e sigurimit që mbulon Shqipërinë.
Çfarë të kesh parasysh? Shpejtësitë: 40 km/h brenda qytetit, 80 jashtë, 90 në rrugë të shpejta, 110 në autostradë. Drita ndezur edhe ditën. Alkooli: kufiri 0,1 promil. Karburanti ka çmime të ngjashme me Gjermaninë, ndonjëherë më i lartë në zona të thella. Stacionet janë të shumta në qytete, të rralla në zona të largëta – furnizohu në kohë!
Ku të flesh mirë?
Në gusht rezervimi paraprak është i këshillueshëm. Përndryshe, Shqipëria lejon spontanitet: akomodimet janë të shumta dhe rrallë të mbushura plot. Camping i lirë është kryesisht i lejuar (përjashtime: prona private, parqe kombëtare, zona të mbrojtura). /Teseo La Marca – Die Welt – Përgatiti në shqip Zoom.al