zoom

In Zoom

Ligji për të gjithë, privilegjet për “Moyo” e “Sanur”: Si po e përdor Edi Rama policinë për lokalet e familjes së tij

Ligji për të gjithë, privilegjet për “Moyo” e “Sanur”: Si po e përdor Edi Rama policinë për lokalet e familjes së tij

Në bregdetin e jugut, ku qindra biznese përballen me kontrolle të rrepta, gjoba dhe mbyllje për shkak të zbatimit të ligjit që ndalon muzikën pas mesnatës, dy lokale operojnë si në një planet tjetër.

Teksa policia u tregon ligjin mbi 300 lokaleve që guxojnë të mbajnë muzikën ndezur pas orës 00:00, ajo mbyll sytë e veshët kur radha u vjen dy beach bar -eve: Moyo e Sanur.

Në Drimadhes, lokali “Moyo” ku Edi Rama shfaqet shpesh si klient “pa lekë”, siç thonë dëshmitarë të shumtë dhe “Sanur”, që e frekuentojnë familjarët e tij (edhe ata nuk paguajnë asgjë thonë disa burime), janë kthyer në shembuj të pandëshkueshmërisë, të favorizimit dhe shkeljes së hapur të ligjit. Muzika aty vijon deri në orën 02:30 të mëngjesit. Por ndryshe nga qindra lokalet e tjera, aty askush nuk shkon dot që t’i ndalojë, askush nuk guxon t’u vendosë gjoba e jo më t’i mbyllë, siç thotë ligji. Arsyeja është e qartë.

Ndërkohë, qindra biznese të tjera përgjatë vijës bregdetare, që kanë investuar, që paguajnë taksa dhe që jetojnë nga aktiviteti turistik disa-mujor, shohin se janë në rrezik falimentimi, pasi e gjithë klientela shkon tek këto dy lokale, për shkak të favorizimit që u bën policia vetëm për shkak të lidhjeve të tyre me kryeministrin dhe familjarët e tij.
Këtyre 300 lokaleve policia u dërgon çdo natë patrullat për t’u siguruar që “e ulën qepenin” dhe nëse konstaton shkelje i mbush me gjoba. Ky standard i dyfishtë është abuzim flagrant me pushtetin dhe një model i qartë se si shteti kapet dhe përdoret për të mbrojtur interesa private.

Policia, që duhet të jetë garant i barazisë përpara ligjit, në fakt është shndërruar në një instrument politik në duart e kryeministrit.

Kjo sjellje, që në pamje të parë mund të duket si një “privilegj i vogël”, është në fakt simptomë e një problemi shumë më të madh: përdorimi i institucioneve publike si pronë personale për të favorizuar ato biznese që dëshiron një kryeministë.
Zoom.al e ka trajtuar disa herë këtë problematikë, duke sjellë edhe shqetësimet e pushuesve, të cilët ankohen se zhurma që shkakton Moyo, Sanur apo edhe Folie Marine, i lë pa gjumë dhe u ka prishur pushimet.

Nisur nga denoncimet, policia ka bërë herë pas here sikur u ka kërkuar llogari këtyre lokaleve, por edhe ajo është e pafuqishme, pasi shefat e policisë së Himarës e Vlorës u binden dëshirave dhe interesave të kryeministrit dhe jo ligjit e shtetit. / Zoom.al

Postime të lidhura