zoom

Aktualitet

Moyo, beach bar-i që sfidon policinë. Muzikë shurdhuese deri në 3 të natës

Moyo, beach bar-i që sfidon policinë. Muzikë shurdhuese deri në 3 të natës

Nëse ka një premtim që qeveria e ka përsëritur vazhdimisht në çdo sezon turistik, ai është se Shqipëria nuk do të tolerojë më kaosin me muzikën në plazhe.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se beach bar-et nuk do të lejohen të mbajnë muzikë përtej mesnatës.

“Një tjetër element që duhet parë është zhurma: muzika, tallavaja e beach bar-eve, jo për të qetësuar, por për të stresuar dynjanë. 99.99% duhet të vuajnë muzikën. S’do të ketë më muzikë në ‘beach bar’, madje do bëjmë ridimensionim të numrit të ‘beach bareve’. Se u habiten fare. Nga ‘beach bar’ në një ‘beach bar’ tjetër. Këtej të bërtet Metalica dhe këtej të gjëmon ndonjë tjetër”, ka thënë Rama.

Një deklaratë e tillë supozohet të garantojë një sezon me rregulla, disiplinë dhe respekt për pushuesit. Por, mjafton një natë në Dhërmi për të kuptuar se mes deklaratave dhe realitetit ekziston një hendek i madh.

I pashqetësuar, beach bar-i “Moyo” vazhdon të organizojë aktivitet me muzikë me volum të lartë deri në orët e para të mëngjesit, në disa raste deri rreth orës 03:00.

Dhe kjo nuk është vera e parë në fakt që “Moyo” nuk e njeh ligjin dhe sfidon policinë. Edhe në sezonet e shkuara verore, Zoom.al ka denoncuar për ndotjen akustike që bën “Moyo”, por sërish asnjë masë. Trajtim preferencial për “Moyo-n” në çdo sezon.

Pyetja që lind është: Kush e lejon këtë dhe pse nuk ndërhyjnë institucionet? Pse pas denoncimeve dhe ankesave nga turistët e pushuesit, që shqetësohen nga zhurma deri në të gdhirë, “Moyo-s” nuk “i hyn gjemb në këmbë”?

Ligji nuk lë vend për interpretime

Shqipëria ka një kuadër ligjor të qartë për administrimin e zhurmës.

Ligji nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, përcakton detyrimin e institucioneve për të mbrojtur qytetarët nga ndotja akustike dhe për të monitoruar respektimin e kufijve të lejuar të zhurmës.

Po ashtu, aktet nënligjore që rregullojnë administrimin e stacioneve të plazhit dhe aktivitetet turistike kërkojnë që subjektet të respektojnë kufijtë e zhurmës dhe kushtet e vendosura nga autoritetet kompetente.

Pra, nuk bëhet fjalë për një kërkesë morale apo etike. Bëhet fjalë për respektimin e ligjit.

Turistët nuk kërkojnë koncert, por pushim

Shqipëria po investon miliona euro për të promovuar turizmin dhe për ta shitur vendin si një destinacion europian. Por për një turist, eksperienca nuk matet me spotet publicitare. Ajo matet me atë që përjeton.

Nëse nuk arrin të flejë për shkak të muzikës që vazhdon deri në orët e para të mëngjesit, atëherë pushimet e tij janë dëmtuar, pavarësisht se sa i bukur është deti apo sa cilësor është hoteli.

Ankesat për zhurmën nuk janë një problem i vogël. Janë një nga arsyet më të zakonshme që ndikojnë në vlerësimet negative të strukturave turistike në platformat ndërkombëtare.

Konkurrencë e pandershme?

Pakënaqësi nuk shprehin vetëm pushuesit. Edhe biznese të zonës me të drejtë thonë se po përballen me një garë të pabarabartë.

Zoom.al ka marrë me dhjetëra denoncime edhe nga pronarë lokalësh që nuk kërkojnë asgjë më shumë veçse trajtim të barabartë. Nuk kërkojnë favore, por zbatim të ligjit njësoj për të gjithë

Nëse një subjekt respekton orarin, ul volumin ose mbyll aktivitetin në kohën e përcaktuar, ndërsa një tjetër vazhdon deri në orën 03:00 pa pasoja, atëherë bëhet një pyetje e thjeshtë: a janë të gjithë të barabartë para rregullit?

Ligji nuk mund të jetë i detyrueshëm për një biznes dhe fakultativ për një tjetër.

Nga “review”-t te problemi real

Ironikisht, ditët e fundit fokusi i qeverisë është zhvendosur te komentet dhe vlerësimet negative në platformat online për bizneset turistike. Janë bërë deklarata për tentativa të organizuara për të dëmtuar imazhin e turizmit shqiptar dhe është kërkuar reagim ndaj fenomeneve që konsiderohen të padrejta. Vetë Policia e Shtetit është angazhuar në këtë “luftë” ndaj komenteve negative online.

Por imazhi i turizmit nuk mbrohet duke luftuar komentet, qofshin ato të organizuara ose jo. Ai mbrohet duke eliminuar arsyet që i krijojnë ato.

Nëse një turist kalon disa net pa gjumë për shkak të muzikës me volum të lartë, ai nuk ka nevojë që dikush t’i diktojë se çfarë komenti të shkruajë. Përvoja e tij flet vetë.

Pyetjet që presin përgjigje

Teksa muzika në “Moyo” vijon përtej kufijve të lejuar, a janë kryer kontrolle nga autoritetet përgjegjëse?

A janë vendosur masa administrative?

A janë trajtuar ankesat e turistëve dhe bizneseve?

Dhe mbi të gjitha, a vlejnë të njëjtat rregulla për çdo subjekt që ushtron aktivitet në bregdetin shqiptar?

Sepse shteti nuk gjykohet nga deklaratat që bën në konferenca apo rrjete sociale. Ai gjykohet nga mënyra se si zbaton ligjin. Nëse një biznes arrin të funksionojë jashtë rregullave pa u shqetësuar, ndërsa të tjerët detyrohen t’i zbatojnë ato me përpikëri, atëherë problemi nuk është vetëm zhurma. Problemi është besimi te shteti. Dhe ky është një dëm shumë më i madh se çdo “review” negativ në internet./ Zoom.al

Postime të lidhura