Aplikacion
Italia po përgatitet për ditët më të nxehta të kësaj vere, pasi një valë e re temperaturash ekstreme pritet të përfshijë një pjesë të madhe të vendit. Meteorologët paralajmërojnë se pas një lehtësimi të shkurtër në fillim të javës, rikthimi i anticiklonit afrikan do të sjellë sërish rritje të ndjeshme të temperaturave.
Kulmi i vapës pritet të arrijë gjatë ditëve të enjte dhe të premte, kur termometri do të shënojë vlera shumë të larta, të ngjashme me valën e mëparshme të të nxehtit që zgjati për afro dy javë.
Zonat më të prekura pritet të jenë ato të Italisë qendrore dhe veriore. Në ultësirën e Padanisë temperaturat mund të arrijnë deri në 38-39 gradë Celsius, ndërsa në disa pjesë të Sardenjës, sidomos në zonat në veri të qytetit të Cagliarit, parashikohet që temperaturat të afrohen ose të kalojnë 40 gradë Celsius, duke arritur deri në 42°C.
Edhe Roma, do të përballet me vapë të fortë, me temperatura që pritet të lëvizin rreth 37-38°C. Ndërkohë, qytetet veriore do të ndiejnë më shumë ndikimin e masave të ajrit të nxehtë, ndërsa në jug të vendit, edhe pse ndikimi pritet të jetë disi më i kufizuar, temperaturat do të mbeten të larta. Në disa zona të Pulias, përfshirë Foggian, pritet të regjistrohen rreth 38°C./ Zoom.al