Aplikacion
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar për debatin e krijuar ditët e fundit pas protestave dhe koncertit të Kanye West në Tiranë, duke theksuar se shoqëria shqiptare ka nevojë si për protesta, ashtu edhe për aktivitete kulturore.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati shprehet se përplasja e krijuar mes pjesëmarrjes në protestë dhe ndjekjes së koncertit është një debat i panevojshëm dhe përçarës. Sipas tij, qytetarët në një demokraci kanë të drejtë të zgjedhin mënyrën se si shprehin qëndrimet dhe dëshirat e tyre.
“Shqipëria ka nevojë edhe për protesta edhe për koncerte”, shkruan Bushati, duke nënvizuar se një koncert mund të sjellë emocione dhe argëtim për një kohë të shkurtër, ndërsa protestat qytetare mund të kenë ndikim më të gjatë në perceptimin ndërkombëtar për vendin.
Sipas tij, protestat disa javore kanë treguar një shoqëri aktive që ngrihet për çështje që i konsideron të rëndësishme dhe që kërkon të ketë rol në vendimmarrjen për të ardhmen e vendit.
Bushati shprehet kritik ndaj reagimit të politikës ndaj shqetësimeve të ngritura nga protestuesit, duke argumentuar se mungesa e reflektimit nga institucionet po thellon distancën mes qeverisjes dhe qytetarëve.
Reagimi i plotë:
SHQIPTARËT VENDIMMARRËS, JO SPEKTATORË
Në një shoqëri demokratike njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjen që mendojnë se është më e mira për ta. Debati i stisur mes protestës dhe koncertit është përçarës dhe joproduktiv. Shqiëria ka nevojë edhe për protesta edhe për koncerte.
Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon. Një imazh, që pasqyron shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë e lufton me dinjitet për vendin e vet.
Shqetësues është fakti që politika nuk po reflekton ndaj shqetësimeve serioze që paraqet protesta, duke thelluar hendekun me popullin. Protesta që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore është shndërruar në një frymë më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë.
Pyetjet nuk duhet të shtrohen nëse je me koncertin apo me protestën, pasi janë dy anë dhe jo dy pole, siç duan t’i trajtojnë brigadat digjitale.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë lidhje me thelbin e sistemit qeverisës që duam të ndërtojmë: Pse duhen shpenzuar paratë publike për argëtim, ndërsa vendi përballet me probleme më të mprehta ekonomike e sociale? Pse shqiptarët duhet t’i japin miliona euro një kompanie private dhe një një artisti që nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit? Edhe sa kohë do ta trajtojmë kulturën si spektakël?
Në këto kushte, përvetësimi politik dhe financimi me paratë tona i koncertit merr rëndësi përtej koncertit dhe emrit të artistit. Pasi zbulon një model të vjetëruar qeverisës./ Zoom.al