zoom

Aktualitet

Ditmir Bushati paralajmëron Ramën: Të mohosh zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët ka kosto të lartë

Ditmir Bushati paralajmëron Ramën: Të mohosh zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët ka kosto të lartë

Protestat e zhvilluara në Tiranë dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, të cilat po analizojnë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Një analizë e publikuar nga gazeta italiane “Il Foglio”, me autor gazetarin Nicola Mirenzi, trajton atë që përshkruhet si “revolta e rrugës”, duke analizuar arsyet që kanë nxitur një pjesë të qytetarëve të dalin në protestë dhe të kërkojnë ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Në artikull thuhet se Rama është parë prej vitesh në arenën ndërkombëtare si një lider me profil proevropian dhe reformues, por sipas autorit, zhvillimet e fundit dhe tensionet politike kanë sjellë një ndryshim në perceptimin ndaj qeverisë së tij.

Për këtë çështje është intervistuar edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili vlerëson se injorimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rëndësishme politike.

“Të mohosh zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët ka një kosto të lartë”, është shprehur Bushati për gazetën italiane.

Analiza ndalet edhe te mënyra se si, sipas autorit, kryeministri Rama ka reaguar ndaj protestave. Sipas shkrimit, fillimisht protestat u minimizuan, ndërsa më pas u lidhën me teori për ndërhyrje të faktorëve të jashtëm dhe interesa të huaja.

“Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Në fillim e injoroi, ashtu siç bënë edhe shumë media. Më pas foli për ndërhyrje të huaja. Shqiptarët, sipas tij, po përdoreshin si “mish për top” në një fushatë globale kundër Trumpit. Më pas tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte ofruar mbrojtje për një grup politik kundër ajatollahëve. Deri sa arriti te pista greke: Greqia, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë Shqipërisë turistët.
Kur u intervistua nga Financial Times, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë vulgare. “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u them: ‘shkoni në djall’ (fjalë për fjalë: ‘shkoni q***’). Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam.”, u shpreh Bushati

Në përfundim, artikulli thekson se përplasja mes protestuesve dhe qeverisë po ndiqet me interes edhe jashtë Shqipërisë, duke argumentuar se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë jo vetëm në klimën politike të brendshme, por edhe në perceptimin ndërkombëtar për qeverinë shqiptare.

Postime të lidhura