zoom

Aktualitet

Lidhjet e dyshimta dhe historia e korrupsionit/ Çfarë fshihet pas bashkëpunimit Fincantieri-KAYO? Sa do të fitojë miku i Ramës, D’Alema?!

Lidhjet e dyshimta dhe historia e korrupsionit/ Çfarë fshihet pas bashkëpunimit Fincantieri-KAYO? Sa do të fitojë miku i Ramës, D’Alema?!

Nga skandali i pretenduar i ryshfeteve milionëshe në Kolumbi te projektet e reja në Shqipëri, emri i ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema rikthehet në qendër të vëmendjes. Lidhjet e tij me industrinë italiane të mbrojtjes dhe afërsia politike me kryeministrin Edi Rama kanë nxitur pyetje mbi rolin që ai mund të ketë pasur në afrimin e gjigantit italian Fincantieri me kantierin strategjik të Pashalimanit.


Pak ditë më parë, në kantierin detar të Pashalimanit u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes kompanisë italiane Fincantieri, kompanisë shqiptare KAYO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Institutit “Pavarësia” të Vlorës. Marrëveshja synon krijimin e programeve të trajnimit dhe stazheve në fushën e ndërtimit të anijeve, me fokus në mekanikë, inxhinieri elektrike dhe teknologjinë e informacionit.


Gjatë ceremonisë, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe drejtuesit e Fincantieri-t, Pierroberto Folgiero dhe Eugenio Santagata, u prezantua edhe sipërmarrja e përbashkët “Fincantieri Albania”. Sipas palëve, projekti synon modernizimin e kantierit të Pashalimanit dhe shndërrimin e tij në një qendër rajonale për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve patrulluese në det të hapur .


Megjithatë, pas këtij projekti lindin edhe pikëpyetje që lidhen me marrëdhëniet mes politikës italiane dhe industrisë së mbrojtjes. Në këtë kontekst përmendet emri i ish-kryeministrit Massimo D’Alema, i cili prej vitesh konsiderohet një figurë me ndikim në sektorin italian të mbrojtjes dhe me marrëdhënie të konsoliduara me drejtues të kompanive si Leonardo dhe Fincantieri.
Emri i D’Alemës u bë pjesë e debatit publik gjatë hetimeve të autoriteteve italiane për një marrëveshje të dështuar për shitjen e avionëve ushtarakë të Leonardo-s dhe mjeteve detare të Fincantieri-t në Kolumbi. Hetimi, i zhvilluar nga Prokuroria e Napolit dhe strukturat DIGOS, shqyrtoi dyshime për korrupsion ndërkombëtar lidhur me një kontratë me vlerë mbi 4 miliardë euro.
Sipas dokumenteve të hetimit, D’Alema dyshohej se kishte vepruar si ndërmjetës informal, duke përdorur kontaktet e tij për të lidhur konsulentë privatë me drejtues të kompanive italiane të mbrojtjes. Prokurorët pretendonin se ishte parashikuar një komision prej 2 për qind të vlerës së kontratës, ose rreth 80 milionë euro, i cili do të ndahej mes ndërmjetësve italianë dhe palës kolumbiane.


Sipas hetimeve, fondet do të kalonin përmes kontratave të konsulencës të lidhura me një studio ligjore në Miami. Megjithatë, marrëveshja nuk u realizua dhe pagesat nuk u kryen.
Pas më shumë se një viti hetimesh, Gjykata e Napolit vendosi arkivimin e çështjes për D’Alemën dhe personat e tjerë nën hetim. Vendimi u mbështet në vlerësimin se vepra penale e korrupsionit nuk ishte konsumuar, pasi marrëveshja nuk ishte finalizuar dhe pagesat e dyshuara nuk ishin realizuar.


Ndërkohë, Fincantieri është përballur edhe me çështje të tjera ligjore. Në Shtetet e Bashkuara, ish-drejtori i përgjithshëm i “Fincantieri Bay Shipbuilding”, Craig Perciavalle, u pezullua nga detyra pasi u padit nga autoritetet federale dhe Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë, nën akuza që lidhen me mashtrim financiar dhe raportim të rremë të kostove të ndërtimit të anijeve ushtarake.
Edhe pse bëhet fjalë për raste të ndryshme dhe pa lidhje të provuara mes tyre, këto episode kanë ushqyer debat mbi standardet e qeverisjes dhe kontrollit brenda kompanisë. Në Shqipëri, diskutimi përqendrohet te lidhjet politike. Massimo D’Alema njihet si një nga mbështetësit dhe bashkëpunëtorët politikë më të afërt të kryeministrit Edi Rama në Itali. Për këtë arsye, hyrja e Fincantieri-t në një projekt strategjik si ai i Pashalimanit ka nxitur pyetje nëse këto marrëdhënie kanë pasur ndonjë ndikim në realizimin e partneritetit.


Deri më tani nuk është bërë publik asnjë fakt që të provojë se D’Alema ka pasur rol zyrtar apo ka përfituar financiarisht nga projekti shqiptar. Megjithatë, për shkak të precedentëve dhe marrëdhënieve të njohura politike, mbeten të hapura pyetje që kërkojnë transparencë.
A ka pasur Massimo D’Alema ndonjë rol ndërmjetësues në afrimin e Fincantieri-t me Shqipërinë? Nëse po, në çfarë cilësie dhe me çfarë mandati? A janë zhvilluar të gjitha procedurat me transparencë të plotë dhe a ekzistojnë garanci që interesi publik është mbrojtur?
Për një projekt që prek një aset strategjik të sigurisë kombëtare, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mbeten thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe transparencën institucionale. Zoom.al/

Postime të lidhura