Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza ndaj institucioneve shtetërore lidhur me një rast të pretenduar të shkeljes së të drejtës së pronës në zonën e Babrrusë, në periferi të Tiranës.
Gjatë një vizite në terren, ajo u takua me familjen Dervishi, të cilët pretendojnë se u është marrë një sipërfaqe toke e trashëguar ndër vite, pa u kompensuar dhe pa një proces të qartë ligjor. Sipas Tabakut, kjo pronë më pas i është dhënë kompanisë KAYO, për ndërtimin e një fabrike armësh.
Deputetja e cilësoi situatën si shembull të një modeli të gabuar qeverisjeje, ku, sipas saj, interesat e qytetarëve lihen në plan të dytë përballë interesave ekonomike.
Tabaku theksoi se mbrojtja e pronës private është një element themelor i një shteti ligjor funksional dhe një nga kushtet bazë për integrimin europian.
“Jemi në pronën e familjes Dervishi, një tokë e trashëguar në vite, e ruajtur dhe e investuar me aq mundësi sa kanë pasur. Sot shteti vjen, pa asnjë kompensim dhe pa asnjë të drejtë ligjore, dhe e uzurpon për t’ia dhënë KAYO-s për ndërtimin e një fabrike armësh.
Shteti është i fortë me të dobëtin dhe i dobët me të fortin. A ka standard europian që justifikon marrjen e pronës së një qytetari dhe dhënien e saj një kompanie, pa kompensim dhe pa transparencë?
Prona është e shenjtë. Nëse nuk respektohet e drejta e pronës, atëherë nuk mund të flasim për asnjë të drejtë tjetër. Kjo nuk është Shqipëria europiane që duam”, deklaroi Jorida Tabaku.
Edhe më herët, PD ka denoncuar se qeveria po rrëmben prona private dhe po rrezikon jetën e qytetarëve në Kodër Babrru, Tiranë, për fabrikën ushtarake.
Sipas PD, pronat nr. 173 dhe 174 të familjes Dervishi janë kaluar pa transparencë te Ministria e Mbrojtjes për llogari të kompanisë Kayo, ndërsa sot toka ruhet nga ushtarë dhe pronarëve u ndalohet hyrja
Banorët denoncojnë se vetëm 5 metra larg banesave po ndërtohet një fabrikë municionesh dhe njësi për demontim armësh, aktivitet me rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë, në lejen e ndërtimit objekti figuron si “fabrikë tekstilesh”, me zhvillues “Kayo” dhe sipërmarrës MSSC Group shpk./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari