Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza në Kuvend ndaj qeverisë, duke e lidhur rritjen e çmimit të karburanteve me atë që ajo e cilëson si një sistem ekonomik të deformuar dhe të lidhur me interesa oligopolistike.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se Shqipëria vazhdon të ketë ndër çmimet më të larta të naftës në rajon, pavarësisht luhatjeve në bursat ndërkombëtare dhe në vendet e tjera të Europës. Sipas saj, një pjesë e madhe e çmimit final të karburantit përbëhet nga taksa, duke e bërë barrën mbi qytetarët edhe më të rëndë.
“Nafta mund të bjerë në bursat ndërkombëtare, mund të bjerë në rajon, por në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë sepse sistemi e favorizon këtë model. Mbi 60% e çmimit të karburantit janë taksa, dhe një pjesë e madhe vjen nga taksa e qarkullimit, që është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013 dhe i kushton qytetarëve mbi 200 milionë euro në vit.
Ky nuk është treg i lirë. Kjo është ekonomi e deformuar, ku fitimi ndahet mes oligopoleve dhe qeverisë, ndërsa qytetarët paguajnë faturën. Çdo krizë ndërkombëtare nxjerr në pah dështimin e modelit ekonomik të ndërtuar në Shqipëri, sepse shqiptarët paguajnë çmime europiane me paga ballkanike. Ndërkohë, Europa dhe vendet e rajonit ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët, por Shqipëria mbetet në vend numëro, pa strategji reale dhe pa masa mbrojtëse për qytetarët”, deklaroi Tabaku./ Zoom.al