zoom

Ekonomi

Tabaku me investitorët gjermanë: Duhet model i ri ekonomik për Shqipërinë

Tabaku me investitorët gjermanë: Duhet model i ri ekonomik për Shqipërinë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me përfaqësues të rreth 50 kompanive gjermane që ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar mundësitë e investimit. Aktiviteti u organizua nga fondacioni Konrad-Adenauer-Stiftung dhe mblodhi drejtues të rëndësishëm nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm përfaqësues nga kompani të njohura ndërkombëtare si BMW Group, RWE, Swiss Re, Eurowings dhe Harman International, së bashku me aktorë të industrisë financiare, energjetike dhe teknologjike.

Gjatë diskutimit, Tabaku prezantoi potencialin ekonomik të Shqipërisë, por njëkohësisht ngriti shqetësime mbi modelin aktual ekonomik, të cilin e cilësoi si të paefektshëm për zhvillim afatgjatë. Sipas saj, ekonomia shqiptare nuk po arrin të krijojë vlerë të qëndrueshme dhe nuk po tërheq investime cilësore.

Ajo theksoi se vendi duhet të ndryshojë drejtim dhe të fokusohet në një model që mbështet prodhimin, industrinë dhe investimet me ndikim real në ekonomi. Në këtë kuadër, Tabaku nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik, por nuk mund të realizohet pa një ekonomi funksionale dhe konkurruese.

Sipas saj, mungesa e investimeve produktive lidhet ngushtë me klimën e biznesit dhe pasigurinë ligjore. Ajo vuri në dukje se aktualisht një pjesë e madhe e investimeve janë përqendruar në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndërsa sektori i prodhimit dhe industrisë mbetet i pazhvilluar.

“Shqipëria nuk mund të vazhdojë me këtë model ekonomik. Duhet të kalojmë drejt një modeli tjetër – një modeli që prodhon vlerë, që mbështet industrinë dhe që tërheq investime produktive, të cilat sot mungojnë.

S’ka integrim europian me një ekonomi që nuk prodhon. S’ka zhvillim me investime që nuk krijojnë vlerë. Shqipëria duhet të tërheqë investime që ndërtojnë industri, që krijojnë punë të mirëpaguar dhe që lidhen me zinxhirët europianë të furnizimit.

Sot kemi më shumë investime që lidhen me pasuri të paluajtshme dhe më pak investime në prodhim dhe industri. Ky është një sinjal që modeli nuk funksionon

Ne duhet të kalojmë nga një ekonomi që konsumon, në një ekonomi që prodhon. Nga një ekonomi që shpërblen privilegjin, në një ekonomi që shpërblen punën dhe investimin e ndershëm”, tha Tabaku./ Zoom.al

Postime të lidhura