Aplikacion
Këngëtarja Aurela Gaçe është përballur me një valë thirrjesh për bojkot të koncerteve të saj, të shfaqura përmes posterave të vendosur në zona të ndryshme të Tiranës.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, artistja hodhi poshtë akuzat ndaj saj, duke theksuar se ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe se mbështet të drejtën për të protestuar. Ajo kujtoi se ka marrë pjesë në protesta ndër vite, që nga koha kur ishte studente, duke përmendur edhe angazhimin e saj kundër armëve kimike, si dhe pjesëmarrjen në tubimet e fundit.
Gaçe u shpreh se askush nuk mund t’i diktojë mënyrën se si duhet ta dojë Shqipërinë, ndërsa kritikoi gjuhën përçarëse dhe sulmet ndaj atyre që kanë mendime apo forma të ndryshme reagimi.
Artistja tha se i njeh nga afër vështirësitë me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se edhe familja e saj është prekur nga problemet ekonomike. Sipas saj, prindërit pensionistë nuk arrijnë të përballojnë jetesën pa ndihmën e fëmijëve, ndërsa shumë të afërm janë larguar jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Në reagimin e saj, Gaçe shprehu gjithashtu shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve, duke pranuar se, si shumë prindër të tjerë, ka dilema nëse ajo mund të ndërtohet në Shqipëri.
Reagimi i plotë:
Dje, më dërgonin miqtë një postim të tillë, ku shpallesha “Armike” nga dikush që mendon ose beson se e do Shqipërinë më shumë se unë. Kam dalë në protesta unë qysh studente e për Armët kimike, e kam protestuar me gjithë qënien time edhe me tekste shumë të forta këngësh, e sigurtë që vajza në fjalë mbase nuk është në dijeni.
Madje, mbase nuk është në dijeni se kam qënë edhe në shesh krah popullit tim edhe tani (me datë të saktë nga arkiva ime). Kam reaguar disa herë në mënyrën time në këtë dritaren time, por mesa duket nuk i pëlqen kësaj zonjës.
1-Mua nuk më tregon as dikton dot askush se si ta dua vendin tim.
2: Nëse ankoheni për diktaturë, atëherë përse ti vetë dikton se si duhet të sillemi? A nuk është dhunë edhe kjo?
Kjo më tregon qartazi se nëse ti bëhesh me pushtet ne ardhmen , ti të shkel me këmbë.
Kam shumë arsye se përse ndjej se duhet të protestoj.
Jetoj këtu edhe e di mirë peshën e rëndë që ka një Shqiptar mbi shpatulla.
E di sepse luftoj vetë për çdo gjë.
Kam zgjedhur të punoj pastêr që nesër të shoh veten në pasqyrë e të mos kem turp. Për disa kolegë mund të jem treguar budallaqe, por dinjitetin tim e kam shumë më të shtrenjtë.
Jam bijë e këtij populli e jam krah popullit tim që ka kaq vite që tërhiqet zvarrë për të fituar bukën, për të paguar qiranë, për t’u shëruar në dyert e spitaleve ( Kam edhe une prindër e fis e farë, e sigurisht edhe unë jam njeri që nesër mund të përballem me çdo gjë).
Jam bijë e dy pensionistëve që sigurisht kanë punuar me ndershmëri si çdo shqiptar, e sot pa ndihmën e fëmijëve nuk i ja dalin, e këtë nuk ma kundërshton dot njerI. Jam motër e një vëllai e motre që kanë ikur, e nënë e dy fëmijëve që sigurisht kam dilemat e çdo prindi për të ardhmen ( të cilën kam frikë se nuk e shoh këtu).
Është listë e gjatë nëse listoj arsyet pse protestoj. Populli nuk është i lumtur e kêtë prapë s’ma kundërshton dot njeri. Por, kur shoh se ti përdor dhunë verbale ndaj atij që nuk vepron si ti, kjo tregon sa të dhunshëm mund të bëhen njerëzit.