Aplikacion
Njëmbëdhjetë organizata dhe shoqata shqiptare me seli në Mbretërinë e Bashkuar kanë publikuar një letër të hapur drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare dhe bëjnë thirrje për respektimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Nismës i është bashkuar edhe akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi, e cila e ka shpërndarë dokumentin në rrjetet sociale. Në letër, organizatat theksojnë se protestat janë një shprehje legjitime e pjesëmarrjes qytetare dhe e funksionimit të demokracisë, duke dënuar çdo formë dhune, frikësimi apo presioni ndaj protestuesve paqësorë.
Sipas dokumentit, në protesta marrin pjesë qytetarë të profesioneve dhe grupmoshave të ndryshme, të cilët kërkojnë mbrojtjen e pasurive natyrore, hapësirave publike dhe një dialog më të hapur me institucionet shtetërore. Organizatat vlerësojnë se këto kërkesa përfaqësojnë ushtrimin e një të drejte kushtetuese për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria.
Në letrën e hapur renditen katër kërkesa kryesore drejtuar institucioneve shqiptare: transparencë për ligjet dhe kontratat që lidhen me mjedisin dhe pasuritë natyrore, llogaridhënie për administrimin e pronës shtetërore, mbrojtjen e interesit publik në politikat e zhvillimit ekonomik dhe nisjen e një dialogu konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Dokumenti është firmosur nga organizata dhe shoqata shqiptare në Britaninë e Madhe, të cilat u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të dëgjojnë kërkesat e protestuesve dhe të shmangin çdo veprim që cenon të drejtën për tubim paqësor.
Letra e plotë:
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,
Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.
Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:
Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;
Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;
Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;
Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.
Me respekt dhe me shpresë,
UKAP Foundation
Kosovar Albanian Youth Against Violence
British Albanian Culture & Arts Association
Edinburgh University Albanian Society
Albanian Book Lovers Culture Club
Cambridge Uni Albanian Society
LSE Albanian Society
Diasporas Speaking
UCL Albanian Society
Successful Mothers
Gjurmë Iliriane

