zoom

Aktualitet

Rama rikthen kontrollet prej protestës? Radhë të gjata në Morinë, kolona e mjeteve arrin në 3.5 km

Rama rikthen kontrollet prej protestës? Radhë të gjata në Morinë, kolona e mjeteve arrin në 3.5 km

Qarkullimi në pikën kufitare të Morinës është shoqëruar me pritje të gjata dhe kolona automjetesh gjatë ditës së sotme, ndërsa shumë qytetarë nga Kosova janë drejtuar drejt Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhim Kufitar të Kosovës, që nga orët e para të mëngjesit janë krijuar radhë të konsiderueshme në dalje të territorit të Kosovës, për shkak të procedurave të hyrjes të kryera nga autoritetet shqiptare.

Autoritetet bëjnë të ditur se, duke filluar nga ora 04:00, kolona e automjeteve ka arritur deri në rreth 3.5 kilometra. Sipas të njëjtit njoftim, vonesat janë shkaktuar nga regjistrimi i hyrjes së udhëtarëve në territorin shqiptar.

Sipas raportimeve, në kufi ka kontrolle më të detajuara në hyrje të Shqipërisë, duke bërë që koha e pritjes të rritet ndjeshëm krahasuar me ditët e zakonshme.

Situata është regjistruar në të njëjtën ditë kur në Tiranë është paralajmëruar zhvillimi i protestës së radhës masive, ku pritet të bashkohet edhe diaspora.

Kjo ngre dyshime se se masat e shtuara kufitare lidhen me këtë zhvillim.

Prej datës 1 maj, Shqipëria dhe Kosova rikthyen zbatimin e kalimit pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të dy vendeve. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, ky regjim duhet të ishte në fuqi deri më 30 shtator dhe synon të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin gjatë sezonit veror.

Qytetarët që udhëtojnë me mjete të regjistruara në Shqipëri dhe Kosovë do të duhet të kalojnë kufirin pa ndalesa dhe pa procedurat e zakonshme të kontrollit.

Ndërkohë, për automjetet me targa të huaja, sipas marrëveshjes, do të aplikohen vetëm kontrolle të shpejta, për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, sidomos në pikën kufitare Morinë–Vërmicë.

Por në një ditë si kjo kur qindra protestues po mblidhen në Tiranë kundër qeverisë, autoriretet shqiptare vendosin të rikthejnë kontrollin pa asnjë njoftim paraprak apo sqarim. / Zoom.al

Postime të lidhura