zoom

In Zoom

Thethi i vërtetë është në Jalë, “Investitori Strategjik” Alban Xhillari ndërton vila pa leje

Thethi i vërtetë është në Jalë, “Investitori Strategjik” Alban Xhillari ndërton vila pa leje

Pak javë më parë, opinioni publik pa nëpërmjet mediave një prej aksioneve më të diskutueshme për prishjen e ndërtimeve pa leje kur fadromat e IKMT ia behën pa paralajmërim në Theth. Goditën disa ndërtime kioska, me dru apo edhe me beton.

Pamjet e ekskavatorëve në një nga parqet kombëtare më të bukura të Shqipërisë u përdorën nga propaganda si shembull i “shtetit ligjor” edhe pse në realitet treguan se ligji përdoret sipas dëshirës, sepse ai nuk ekziston kur pushteti pati dëshirë t’i lejonte ata banorë të ndërtonin.

Por sot Thethi i vërtetë është në Jalë. Dhjetëra vila luksoze po ngrihen pa leje në projektin “Folie Village”, të kompanisë “Solei & Sea”.

Kompania është në pronësi të Endri Mingollarit (90% të aksioneve) dhe Ardit Bajraktarit (10% të aksioneve). Por media të ndryshme thonë se pas kompanisë qëndron biznesmeni i njohur Alban Xhillari, mik i kahershëm i kryeministrit Edi Rama.

Kjo kompani ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” në qershor 2023, me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Nëse vetëm pak javë më parë shteti shembi dhjetëra kioska e ndërtime pa leje në Theth, tani hesht për vilat prej betoni që pushtojnë vijën bregdetare të plazhit të Jalit.

Policia arrestoi në fillim të gushtit Ludion X. 40 vjeç, inxhinier i kompanisë “Solei&Sea”, i cili u kap duke mbikqyrur punimet pa leje në “Folie Village”. Ky veprim i policisë u pasua me një lumë reagimesh në rrjetet sociale, me komentues që thonë se kjo ishte një farsë e zakonshme, pasi skandali nuk është përgjegjësi vetëm e inxhinierit, por para drejtësisë duhen çuar edhe ata që firmosin në hierarkinë e kompanisë.

“Farsë e zakonshme shqiptare, goditen më të dobëtit dhe peshqit e mëdhenj nuk preken,”- shkruan një komentues.

Ky rast tregon se ligji godet ashpër me ekskavatorë e fadroma vetëm banorët e pambrojtur të Thethit, por jo miqtë e fuqishëm të kryeministrit që hedhin beton në bregdet, në një tjetër pasuri kombëtare.

Nëse Thethi u përdor si show për të treguar forcën e shtetit dhe të ligjit, Jala është aty si provë e pakundërshrueshme se në këtë shtet ligji nuk është i barabartë për të gjithë dhe se ai aplikohet me forcë vetëm te qytetarët e thjeshtë. /Zoom.al

Postime të lidhura