Aplikacion
Gazetari Lutfi Dervishi ka ironizuar sërish qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj rrugëve të shembura në disa zona të vendit, kryesisht atë që ka lënë të izoluar për mbi 1 javë gjithë juglindjen e vendit.
Menjëherë pas fjalimit të Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Dervishi publikoi një listë me fajtorët dhe të pafajshmit për situatën e rrugëve.
Në kategorinë e fajtorëve ai rendit shiun, Saliun (Berishën) gjeologjinë, syrin e keq, erën e fortë, diellin, hënën e plotë, ngrohjen globale, mjegullën e lagështirën.
Ndërsa në listën e të pafajshmëve përfshin tenderat, projektimin, mbikqyrjen, cilësinë e punimeve dhe mirëmbajtjen.
Dervishi vë në dukje, në këtë mënyrë, se sipas qasjes së Ramës për çfarë kalon vendi, fajin e ka kundështari politik ose fenomene që s’kanë të bëjnë me përgjgjësinë e drejtuesve apo institucioneve, por asnjëherë personat që paguhen me shuma të kripura për të garantuar sigurinë e infrastrukturës.

Postimi vjen në një moment kur shembja e rrugës kombëtare në Librazhd ka izoluar gjithë juglindjen, me qytete si Korca, Pogradeci, Erseka, Prrenjasi etj, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi cilësinë e investimeve publike dhe kontrollin teknik të projekteve
Fjalimi i kryeministrit në grupin parlamentar u fokusua tek faktorët klimatikë dhe situatat ekstreme si shkaktarë të dëmeve. Por ironia e Dervishit tregon se qytetarët janë mbingopur me justifikimet e qeverisë dhe presin marrjen e përgjegjësisë nga një qeveri, korrupsioni i së cilës është ekspozuar më qartë se kurrë nga hetimet e SPAK. /Zoom.al
