zoom

Aktualitet

Shembet sërish segmenti në fshatrat e Librazhdit, ndalohet lëvizja e kalimtarëve

Shembet sërish segmenti në fshatrat e Librazhdit, ndalohet lëvizja e kalimtarëve

Segmenti rrugor i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, i cili ishte paralajmëruar se do të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore provizore, ka pësuar sërish dëmtime dhe mbetet i pakalueshëm.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi zyrtarisht se rruga dytësore e hapur për kalim të përkohshëm ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e realizuara dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm për mjete dhe këmbësorë.

Në njoftimin e saj, institucioni thekson: “Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.

Strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje”.

Një ditë më parë, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kishte deklaruar se segmenti do të hapej në mesditën e së hënës, pas përfundimit të ndërhyrjeve të përkohshme për devijimin e qarkullimit. Zhvillimet e fundit e shtyjnë sërish rihapjen e aksit, ndërsa pritet rivlerësimi teknik i situatës në terren.

Postime të lidhura