Aplikacion
Problemet serioze me infrastrukturën rrugore në vend po marrin përmasa gjithnjë e më shqetësuese.
Pas një sërë rastesh shembjesh dhe bllokimesh në akse të rëndësishme kombëtare, një tjetër rrugë e ndërtuar në vitet e fundit ka shfaqur dëmtime të rënda strukturore.
Këtë herë, në qendër të vëmendjes është aksi nacional Skrapar–Përmet, i cili është çarë dhe shembur pjesërisht, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi cilësinë e punimeve dhe përgjegjësinë institucionale.
Sipas raportimeve nga banorët e zonës, që prej mbrëmjes së kaluar asfalti i këtij aksi është çarë në mes në fshatin Rog Çepan, në afërsi të qytetit të Përmet. Në disa segmente, rruga është shembur pothuajse tërësisht, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm dhe në disa raste të pamundur.
Situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi prej disa orësh raportohet se hyrja në qytetin e Skrapar është bllokuar. Në fshatin Buzuq kanë ndodhur rrëshqitje masive shkëmbore, të cilat kanë mbuluar trupin e rrugës. Si pasojë, qarkullimi është ndërprerë, ndërsa mjetet janë detyruar të ndalojnë ose të kthehen pas.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se mjetet e rënda janë angazhuar për pastrimin e aksit, por terreni i vështirë dhe kushtet gjeologjike e bëjnë ndërhyrjen të ngadaltë./ Zoom.al