zoom

Aktualitet

Saga e rrugëve, çahet edhe aksi që lidh Kuçin me Qeparoin

Saga e rrugëve, çahet edhe aksi që lidh Kuçin me Qeparoin

Një segment i rrugës së Lumit të Vlorës, që lidh fshatin Kuç me Qeparoin, ka pësuar dëmtime të rënda strukturore, duke ngritur shqetësime për sigurinë e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm malor.

Sipas të dhënave paraprake, një pjesë rreth 30 metra e gjatë e trupit të rrugës ka shfaqur çarje të theksuara në asfalt, të shoqëruara me plasaritje anësore.

Dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga lëvizjet e nëntokës, të favorizuara nga terreni i thepisur dhe faktorë gjeologjikë të zonës.

Segmenti i prekur ndodhet në një zonë problematike për stabilitetin e tokës, ku në të kaluarën janë evidentuar raste të ngjashme çedimesh. Aktualisht, rruga mbetet e kalueshme me kujdes të shtuar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalistikën e vendosur.

Punonjësit e shërbimeve të mirëmbajtjes rrugore kanë dalë në terren dhe po kryejnë ndërhyrje emergjente.

Paralelisht, zona është sinjalizuar për të shmangur rrezikun e aksidenteve, veçanërisht gjatë orëve të natës./ Zoom.al

Postime të lidhura