zoom

Aktualitet

Shembja e aksit Përrenjas–Librazhd, prokuroria nis hetim për punimet

Shembja e aksit Përrenjas–Librazhd, prokuroria nis hetim për punimet

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetime kryesisht ndaj kompanisë që po kryen punimet për zgjerimin e Korridori VIII, pas rrëshqitjes masive të tokës në zonën e Dragostunjës, e cila shkaktoi bllokimin total të aksit kombëtar Përrenjas–Librazhd.

Hetimi do të përqendrohet në verifikimin e shkaqeve që çuan në shembjen e rrugës, dëmtimin e linjës hekurudhore, prishjen e linjave elektrike dhe rrezikun e vazhdueshëm për përhapje të mëtejshme të rrëshqitjes së dheut.

Prokuroria po bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për të analizuar dokumentacionin teknik dhe zbatimin e standardeve gjatë punimeve.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet lejes për shfrytëzimin e inerteve në lumin Shkumbin dhe mënyrës se si ajo është zbatuar në terren. Sipas burimeve zyrtare, hetimi u nxit edhe pas publikimit të pamjeve filmike që dokumentonin situatën problematike në këtë segment rrugor.

Objekt i verifikimit do të jetë i gjithë segmenti rrugor nga Peqin deri në Qukës, zonë që mbulohet nga juridiksioni i Prokurorisë së Elbasanit, për shkak të shfrytëzimit intensiv të shtratit të lumit në disa pika të këtij itinerari.

Për arsye sigurie, autoritetet kanë ndërprerë energjinë në linjën e tensionit të lartë dhe kanë nisur procedurat për çmontimin e një shtylle elektrike që rrezikohet nga rrëshqitja. Gjendja në terren është përkeqësuar ndjeshëm orët e fundit, pas fundosjes së urës dhe zgjerimit të çarjeve në trupin e rrugës.

Që prej mbrëmjes së djeshme, rreth orës 22:00, është ndaluar fillimisht qarkullimi i automjeteve dhe më pas edhe kalimi i këmbësorëve dhe mjeteve të emergjencës, për shkak të rrezikut të lartë dhe pamundësisë për të vlerësuar dëmet në kushtet e errësirës./ Zoom.al

Postime të lidhura