zoom

Aktualitet

Qeveria del “blof”: Fotoja që tregon gërmimet në lumin Shkumbin në zonën ku u shemb rruga

Qeveria del “blof”: Fotoja që tregon gërmimet në lumin Shkumbin në zonën ku u shemb rruga

Në zonën e Librazhdit pranë “Arrave të Gurrës”, segmenti i aksit kombëtar Librazhd–Përrenjas është shembur plotësisht, duke izoluar juglindjen e vendit për ditë me rradhë.

Qeveria dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë mohuar lidhjen direkte mes punimeve për Korridorin VIII dhe shembjes masive. Sipas tyre, shembja ka ardhur kryesisht për shkak të kushteve gjeologjike natyrore dhe erozionit, dhe se puna për devijimin e lumit është bërë për stabilizim.

Megjithatë, fotoja e mëposhtme, e tetorit 2025, tregon diçka të kundërt: rrëshqitjet e dheut nuk janë rezultat vetëm i reshjeve të shiut apo natyrës, por pasoja e gabimeve njerëzore të qarta. Gërmimet në lumin Shkumbin dhe mungesa e kontrollit shtetëror mbi projektimin e rrugës janë dukshëm të dokumentuara në terren. Fotoja nuk lë hapësirë për dyshime: ndërhyrjet artificiale në luginën e lumit kanë destabilizuar plotësisht tokën.

25 organizata mjedisore kanë kërkuar masa urgjente për të parandaluar ndërhyrjet e dëmshme në Shkumbin, në kuadër të punimeve për rrugën Elbasan–Librazhd–Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII. Në këtë segment prej dy vitesh po ndërtohen dy tunele me gjatësi rreth 1.1 kilometra.

Ekspertët kanë theksuar më herët se pa monitorim të fortë, transparencë dhe përgjegjësi të qarta institucionale, problemet do të vijojnë. Sipas tyre, çështja e Shkumbinit është një sinjal i fortë për mënyrën si po menaxhohen projektet infrastrukturore dhe ndërhyrjet në mjedis.

Situata e krijuar me juglindjen nuk është vetëm një problem infrastrukture. Ky rast është një sinjal i qartë i mënyrës se si institucionet po menaxhojnë projektet publike dhe ndërhyrjet në mjedis: duke fshehur përgjegjësinë dhe duke shpërfillur dëmin ekologjik për të përshpejtuar punimet. Fotoja është dëshmi që qeveria nuk mund ta mohojë: degradimi i Shkumbinit është rezultat i ndërhyrjes së njeriut dhe jo vetëm i natyrës./ Zoom.al

Postime të lidhura