zoom

Aktualitet

Shoqëria civile, letër të hapur: Ndërhyrje urgjente pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas

Shoqëria civile, letër të hapur: Ndërhyrje urgjente pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas

Shoqëria civile në Qarkun Korçë i është drejtuar me një letër të hapur institucioneve qendrore, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe masa ekonomike mbështetëse pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, segment kyç i lidhjes Korçë–Tiranë.

Në deklaratën e firmosur nga Lazjon Petri, theksohet se rrëshqitja e ndodhur në këtë segment ka sjellë pasoja të menjëhershme në jetën e qytetarëve dhe në funksionimin ekonomik të rajonit. Sipas tyre, kufizimi i lëvizjes së lirë ka dëmtuar aktivitetin ekonomik dhe turistik, ka rritur kostot e transportit dhe të mallrave, ndërsa devijimi i qarkullimit drejt akseve alternative ka shtuar rreziqet për sigurinë publike për shkak të gjendjes jo optimale të rrugëve dhe fluksit të shtuar të mjeteve.

Shoqëria civile shpreh shqetësimin se izolimi i pjesshëm i Qarkut Korçë po ndikon ndjeshëm në ekonominë familjare dhe në qëndrueshmërinë e bizneseve, ndërsa mungesa e një plani publik me afate të qarta po rrit pasigurinë në rajon. Duke qenë se bëhet fjalë për infrastrukturë kombëtare, ata kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme, të koordinuar dhe transparente nga institucionet përgjegjëse.

Në letrën drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Këshillit të Ministrave, paraqiten disa kërkesa konkrete:
• Publikimi i një plani teknik ndërhyrjeje me afate të qarta për stabilizimin e zonës së rrëshqitjes dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.
• Përmirësimi i menjëhershëm i akseve alternative dhe bypass-eve provizore për garantimin e sigurisë rrugore.
• Mbështetje financiare dhe masa lehtësuese për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe transportit, për të përballuar kostot shtesë.
• Garanci të qarta për furnizimin e pandërprerë me mallra dhe karburant, në kushtet kur është paralajmëruar devijimi i kamionëve të naftës nga Maqedonia drejt Kosovës, çka sipas tyre mund të sjellë rritje kostosh dhe çmimesh.
• Raportim periodik javor mbi ecurinë e punimeve dhe masat e ndërmarra.
• Hartimin e një plani strategjik alternativ kombëtar për lidhjen e juglindjes, për të shmangur varësinë nga një aks i vetëm rrugor.

Shoqëria civile thekson se Qarku Korçë ka rëndësi të veçantë ekonomike, prodhuese dhe turistike, si dhe përbën një nyje të rëndësishme ndërkufitare me katër pika doganore që ndikojnë drejtpërdrejt në tregtinë dhe zinxhirin kombëtar të furnizimit.

Në përfundim, nënshkruesit e letrës kërkojnë përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore dhe shprehin gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo tryezë konsultimi apo dëgjesë publike që do të organizohet për zgjidhjen e situatës./ Zoom.al

Postime të lidhura