Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas fjalimit të mbajtur nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku ky i fundit doli në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe Mirlinda Karçanajt, të cilat po hetohen nga SPAK.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se fjalimi i Ramës përbënte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, duke theksuar se, sipas tij, çdo zhvillim lidhet ngushtësisht me vetë kryeministrin. Ai shtoi se Rama ndodhet “në rreth të kuq” dhe se gjatë fjalës së tij ka keqinformuar opinionin publik.
Sipas Berishës, kryeministri u përqendrua në mbrojtjen e AKSHI dhe të drejtueses së saj, duke e paraqitur atë si figurë me integritet të lartë. Kreu i PD-së përdori tone të ashpra, duke pretenduar se mbrojtja e bërë nga Rama lidhet me interesat personale të tij dhe përmendjen e bashkëshortes në dosje hetimore.
Berisha theksoi se, sipas tij, reagimi i Ramës ndaj Prokurorisë ka ardhur si pasojë e zhvillimeve në hetime dhe se fjalimi në grupin e PS-së synonte të zhvendoste vëmendjen nga çështjet kryesore që po hetohen.
“Edi Rama, në fjalën e tij, përveçse mbrojti veten në të gjitha mënyrat, duke përdorur administratën, rolin dhe misionin e saj në një shtet, si edhe ndershmërinë dhe dinjitetin e saj, sulmoi në mënyrën më të verbër drejtësinë, institucionin e akuzës dhe gjithçka që vërtitej rreth tij personalisht, i vetëdijshëm se është tashmë në rreth të kuq.
Mashtroi në mënyrën më të paskrupullt. U tha shqiptarëve se ministrat, zëvendëskryeministrat apo kryeministrat në Gjermani japin dorëheqjen si detyrim moral. Por kjo nuk ndodh në vende të tjera; ndodh vetëm në shtetin ligjor të avancuar dhe të konsoliduar të Gjermanisë. Një mashtrim me bisht. Jo larg, por nga viti 2009–2013, në Shqipëri kanë dorëzuar imunitetin, kanë dhënë dorëheqjen zëvendëskryeministra e ministra, si dhe është hequr imuniteti për disa të tjerë. Ky mendon se të tjerët vuajnë nga amnezia. Në ekspozenë e tij, Edi Rama bëri mbrojtjen, avokatinë e AKSHI-t.
Siç e vutë re, i gjithë fjalimi i tij përqendrohej te integriteti i lartë i Mirlindës së AKSHI-t, dhe si provë për këtë integritet paraqiste faktin se ajo banon në një pallat me qira dhe se nuk di t’i japë makinës. Qesharake!
Në fakt, Linda nuk është gjë tjetër veçse prestanome e Lindës tjetër, e gjysmës më të mirë të Edi Ramës.
Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar, dhe ky është ai vetë. E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë, kopshtarja private e këtij kopshti është Linda Rama.
Ndaj, ai i shfazuar u përpoq të përdorte çdo lloj argumenti absurd për të akuzuar prokurorinë për veprimet që ka ndërmarrë”, tha Berisha./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari