zoom

Lajme

Pezullimi i Ballukut, Rama: Ndërhyrje brutale! Prokurorët nxjerrin fletë-thirrjet si bileta teatri!

Pezullimi i Ballukut, Rama: Ndërhyrje brutale! Prokurorët nxjerrin fletë-thirrjet si bileta teatri!

Një ndërhyrje brutale në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e cilësoi kryeministri Edi Rama vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama theksoi se pezullimi i një ministri pa gjyq përbën rast të paprecedentë.

“Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës, me vendim të një seance paraprake pa gjyq, i pandodhur në historinë e botës. Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit pagat dhe përcakton politikat e pagave apo taksave të një vendi. Por, shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura, jashtë kornizës kushtetuese e ligjore të fashiten sepse në të kundërt nuk do kemi gjyqësor të pavarur e paanshëm dhe as nuk do kemi një shtet funksional, një administratë publike, pa pasur frikë të marrë vendime, deri në blerjen e letrës higjienike. Nuk do kemi sipërmarrje të lirë dhe konsumator të çliruar nga frika se mund të bjerë në sy. E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara, Shqipëria nuk ka luksin për t’u vonuar për t’i nxjerrë këto mësime”, u shpreh ai. 

Kryeministri Rama, ndër të tjera, kishte kritika edhe për prokurorët e SPAK-ut. Ai tha se prokurorët janë futur në një garë të ethshme për kreun e Strukturës së Posaçme dhe presin fletë-thirrje në tufa. Rama deklaroi se është absurde që fletë-thirrjet priten me një lehtësi kaq të madhe, sikur të ishin bileta teatri.

Kreu i qeverisë nënvizoi se shteti ka tre pushtete, që janë të pavarura nga njëri-tjetrin dhe se kështu duhet të jenë edhe në realitet.

“Ka nisur një lëvizje sportive prokurorësh lart e poshtë, që janë turrur në garën për kreun e SPAK, duke prerë fletë-arreste në tufa që nuk janë fare çështje penale, që kudo në botë hetohen në gjendje të lirë. Në Durrës në një rast, vetëm prokurori ngeli pa ia prerë vetes fletën e arrestit, nuk u kursye as një punonjëse model e shtetit, me fëmijë dy muajsh në gji. Fletëe-thirrjet si bileta teatri, deri për absurditete.

Me siguri do thonë që sapo ka ndërhyrë në punët e drejtësisë. Unë do them vetëm pak nga ato që kam për të thënë, për ndërhyrjet të panevojshme të gjyqësorit në punët e qeverisjes. Janë të pajustifikueshme, sepse shteti ka tre pushtete të pavarura dhe asnjëra nuk duhet të ndërhyjë tek tjetri. Ne e besojmë që kur Kushtetuta e Shqipërisë se ka tre pushtete të pavarura, që nuk mund të jenë në letër dhe duhet të jenë realitet”, tha Rama.

Sipas tij, qeveria nuk po ndërhyn aspak në punët e drejtësisë, por se drejtësia duhet të respektojë pavarësinë e pushteteve të tjera në vend.

Postime të lidhura