zoom

Aktualitet

U shkatërrua nga rrëshqitja e tokës, shembet ura e Dragostunjës

U shkatërrua nga rrëshqitja e tokës, shembet ura e Dragostunjës

Ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure procesi i demontimit të urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u dëmtua rëndë nga një rrëshqitje masive dhe fundosje e tokës.

Sipas specialistëve në terren, lëvizja e fuqishme e masivit të dheut ka destabilizuar themelet e urës, duke shkaktuar çarje të shtresave mbajtëse dhe zhvendosje të trupit të rrugës. Për pasojë, struktura është nxjerrë plotësisht jashtë funksioni dhe konsiderohet rrezik për qarkullimin e automjeteve dhe sigurinë publike, çka e ka bërë të pamundur çdo ndërhyrje riparuese.

Punimet për demontimin po kryhen me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit. Zona vijon të klasifikohet me risk të lartë gjeologjik, ndërsa në disa segmente përreth raportohen ende lëvizje aktive të tokës.

Shembja e urës në Dragostunjë ka rënduar situatën e qarkullimit në këtë arterie të rëndësishme lidhëse, duke izoluar përkohësisht disa komunitete dhe duke detyruar devijimin e trafikut në rrugë alternative rurale, të cilat nuk janë të projektuara për të përballuar fluks të lartë automjetesh.

Postime të lidhura