Aplikacion
Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare Ali Sadriu, një figurë e njohur e politikës dhe administratës publike në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij, ndërsa njoftimi për publikun u shpërnda nga i biri, Flamur Sadriu, përmes rrjeteve sociale.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë se sot u nda nga jeta babai ynë i dashur, Ali Shaban Sadriu. Detajet për ceremoninë mortore do t’i bëjmë të ditura më vonë”, shkroi Flamur Sadriu.
Ali Sadriu ka lënë një kontribut të madh në institucionet e Kosovës. Ai ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në disa legjislatura dhe ka marrë pjesë aktive në procese kyçe parlamentare gjatë periudhave 1992–2014.
Në vitet 2002–2004, Sadriu shërbeu si Ministër i Ekonomisë dhe Financave, duke luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e sistemit financiar të vendit. Ndërkohë, nga viti 2000 deri në 2002, ai ishte bashkëdrejtues i Autoritetit Qendror Fiskal.
Përveç angazhimit politik, Ali Sadriu kishte një karrierë të gjatë menaxheriale, duke drejtuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe duke punuar si drejtor financiar në institucione të ndryshme për dekada, përfshirë Fakultetin e Mjekësisë./ Zoom.al