zoom

Kosova

Nga parkimi tek bileta, dalin çmimet marramendëse të Sunny Hill Festival 2026

Vizitorët që planifikojnë të ndjekin Sunny Hill Festival 2026 me automjet do të duhet të paguajnë deri në 120 euro vetëm për parkimin.

Sipas informacioneve të publikuara nga organizatorët, parkingu standard kushton 60 euro për të tre ditët e festivalit, ndërsa VIP Parking kushton 120 euro dhe ofron hyrje të dedikuar pranë zonës së festivalit.

Edhe biletat e festivalit shiten vetëm si paketa treditore. Aktualisht, bileta standarde kushton 195 euro, ndërsa paketat VIP arrijnë deri në 800 euro.

Festivali do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park, në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës.

Organizatorët presin dhjetëra mijëra vizitorë, ndërsa në skenën kryesore do të performojnë emra të njohur të muzikës botërore si Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Adam Port & Rampa (Keinemusik), PAWSA dhe Seth Troxler.

Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë vit vëmendje ka tërhequr edhe çmimi i parkimit. Organizatorët bëjnë të ditur se të gjithë ata që zgjedhin të udhëtojnë me automjet duhet të rezervojnë paraprakisht vendin e parkimit, ndërsa rekomandojnë përdorimin e autobusëve të organizuar, pasi kapacitetet e parkimit janë të kufizuara.

Sa i përket biletave, nuk është bërë publik numri i atyre të shitura deri më tani. Megjithatë, në faqen zyrtare të festivalit thuhet se paketa standarde prej 195 eurosh po shitet me ritme të shpejta, ndërsa për kategoritë e tjera ka ende vende të lira.

Përveç artistëve ndërkombëtarë, festivali do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë edhe skenës shqiptare. Në mesin e emrave që do të performojnë janë Dhurata Dora, Ledri Vula, Lumi B, Lyrical Son, MC Kresha, Buta, Eko, Sahati dhe grupi Asgjë Sikur Dielli.

Në program janë përfshirë edhe artistë të rinj si Bana Zahiti, Erëza Çerkini, La Fazani, Rreze, Sytë, Anitë, Art Haliti, Jolle, Ilo, Caboo dhe Uran B, ndërsa pjesë e C4 Stage do të jetë edhe Gjin Lipa, vëllai i Dua Lipës.

Në natën e parë të festivalit do të performojë Katy Perry, nata e dytë do të udhëhiqet nga Lewis Capaldi, ndërsa festivali do të mbyllet me performancën e Martin Garrix, një nga DJ-të më të njohur në botë.

Sunny Hill konsiderohet një nga festivalet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore dhe edhe këtë vit pritet të mbledhë mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera.

Festivali u organizua për herë të vetme në Shqipëri, në verën e vitit 2022, për shkak të pamundësisë për t’u mbajtur në Kosovë. Më pas ai u rikthye në Prishtinë, ku ka vijuar të zhvillohet çdo vit.

Postime të lidhura