zoom

Lajme

Molotovët para Kryeministrisë, 4 të arrestuar pas protestës së PD! Nën hetim sekretari Organizativ

Molotovët para Kryeministrisë, 4 të arrestuar pas protestës së PD! Nën hetim sekretari Organizativ

Policia e Shtetit ka identifikuar 11 persona që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së Partisë Demokratike, e zhvilluar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë. Si pasojë, 4 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 7 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar, protesta u zhvillua më 22 dhjetor 2025, rreth orës 18:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kundërshtuan punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe hodhën drejt tyre lëndë djegëse, molotovë.

Si rezultat i veprimeve hetimore, në pranga ranë shtetasit A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasit B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B., si dhe për një të mitur 16-vjeçar.

Gjithashtu, materialet iu referuan Prokurorisë edhe për Ervin  Minarollin, sekretar organizativ i Partisë Demokratike, i cili po hetohet pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të subjektit politik, nuk ka zbatuar detyrimet ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit.

Gjatë protestës mbetën të dëmtuar tre punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë tubimit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./Zoom.al

Postime të lidhura