Aplikacion
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se protesta e opozitës nuk do të jetë thjesht një tubim simbolik me fjalime dhe pjesëmarrje masive, por nisja e një aksioni të qëndrueshëm politik me veprime konkrete, që synon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në një intervistë për “Syri TV”, Boçi theksoi se protestat do të zhvillohen jashtë çdo skenari të paracaktuar dhe do të reflektojnë zemërimin real të qytetarëve ndaj asaj që ai e cilësoi si korrupsion dhe keqqeverisje. Sipas tij, protesta synon të tregojë qartë se nuk ka asnjë pajtim mes qytetarëve dhe veprimeve të qeverisë aktuale.
“Jemi në fillimin e një procesi protestash që do të ketë një fund të qartë: largimin e Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike”, shpreh Boçi.
Ai bëri të ditur se aksioni opozitar nuk do të kufizohet vetëm në shesh, por do të vijojë edhe në Kuvend, ku grupi parlamentar i PD-së do të veprojë në përputhje me protestat që zhvillohen jashtë institucionit.
Sipas Boçit, protesta do të shoqërohet me një zemërim të natyrshëm qytetar, i cili mund të shprehet në forma të forta, por të sinqerta. Ai theksoi se opozita synon të dalë nga modelet e vjetra të protestave që, sipas tij, nuk kanë prodhuar rezultat konkret.
“Nuk mjafton vetëm të flasësh apo të mbledhësh njerëz në shesh. Duhet të ketë akte të forta që tregojnë qartë se qytetarët nuk pajtohen me korrupsionin. Protesta është e vërtetë vetëm kur vjen natyrshëm nga njerëzit”, deklaroi ai./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit