zoom

Lajme

PD zbret para Kryeministrisë, nis protesta e opozitës për të rrëzuar qeverinë

PD zbret para Kryeministrisë, nis protesta e opozitës për të rrëzuar qeverinë

Mbështetësit e PD kanë zbritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për një protestë kombëtare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Kjo nismë vjen pas rastit të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për korrupsion me tenderat, ndërkohë që SPAK kërkon arrestimin e saj dhe është më pritje që Parlamenti t’i heqë imunitetin.

Gjykata Kushtetuese e riktheu Ballukun në detyrë, të paktën deri më 22 janar kur do të shqyrtohet çështja në themel.

Kryedemokrati Sali Berisha, lideri i PD, iu bashkua protestuesve rreth orës 18:30, duke marshuar nga selia blu drejt Kryeministrisë.

Ai shoqërohet nga deputetë të PD, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi.

Protestës kombëtare të PD i është bashkuar edhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi së bashku me bashkëshortin e saj, Jamarbër Malltezi.

Pjesë e tubimit është bërë edhe Ervin Salianji me mbështetësit e tij, i cili në javët e fundit është përplasur me Sali Berishën dhe Flamur Nokën, duke kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit, dhe ka nisur një lëvizje për ndryshimin e PD.

Kjo është protesta e parë kombëtare që opozita organizon pas 4 foltoresh radhazi që mbajti poshtë Kryeministrisë çdo të hënë, për të denoncuar aferat e qeverisë. Më herët, kreu i PD Berisha ka deklauar se kjo protestë nuk ka kthim pas dhe se do të përmbajë çdo formë revolte, deri edhe në grevë urie, deri në largimin e Edi Ramës./ Zoom.al

Postime të lidhura