zoom

In Zoom

LiDL, nga skandali i mishit të pulave të sëmura në Evropë, te privilegjet si “investitor strategjik” në Shqipëri

LiDL, nga skandali i mishit të pulave të sëmura në Evropë, te privilegjet si “investitor strategjik” në Shqipëri

Supermarketi gjerman LiDL, që në Shqipëri po shfaqet si simbol i modernizimit dhe konkurrencës, po përballet ndërkombëtarisht me një skandal të madh mbi cilësinë e ushqimit dhe trajtimin çnjerëzor të kafshëve në zinxhirin e tij të furnizimit.

Një investigim i organizatës ndërkombëtare për mirëqenie së kafshëve , Animal Welfare Observatory (AWO), ka analizuar 6,097 mostra mishi pule nga 321 dyqane LiDL në të gjithë Spanjën. Rezultatet janë tronditëse. 98% e mishit të pulës në shitje te supermarketet e LiDL rezultoi se vjen nga pula që vuajnë nga sëmundja e miopatisë “white striping”.

 Çfarë është “white striping”?

Kjo është një formë e rëndë e dëmtimit të muskujve të pulave, që lind si pasojë e rritjes së shpejtë të këtyre shpendëve, për arsye fitimprurëse. Muskujt e pulës rriten më shpejt nga sa trupi mund të përballojë, duke shkaktuar mungesë oksigjeni, vdekje të fibrave muskulore, dhe zëvendësimin e tyre me yndyrë. “White Striping” dëmton strukturën, vlerat ushqyese dhe cilësinë e mishit.

 Si rezultat, mishi ka më pak proteina, deri në 224 herë më shumë yndyrë dhe në shumë raste është pa shije e ka strukturë të degraduar.

Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorit.

Videoja që nuk duhet të injoroni.

Në një video të publikuar nga AWO (shiko këtu), aktivistët tregojnë pamje reale të filetove të pulës që shiten në LiDL, me vijat e bardha që tregojnë qartë gjurmët e sëmundjes. Ata kërkojnë nga LiDL që të ndalojë përdorimin e racave të rritjes së shpejtë dhe të përmbushë angazhimet për mirëqenien e kafshëve të vendosura nga vetë BE-ja.

Përmbajtja e videos: A dini se fileto e pulës që shitet nga LiDL vjen nga kafshë të sëmura? Ne kemi ardhur në LiDL për t’ju treguar dicka që ata (LiDL) nuk duan që ti ta dish. Eja me mua dhe do të shohësh me sytë e tu këto vija të të bardha, që quhen miopati. 98% e tyre vijnë nga pula me një simptomë e një gjëje të madhe. Po ju tregoj vuajtjet që ata durojnë. Çfarë ndodh me pulat me rritje të shpejtë? Muskujt rriten me shpejtësi të ekzagjeruar, gjë që i bën fibrat dhe qelizat muskulore të vdesin nga mungesa e oksigjenit. Dhe lëndët ushqyese zëvendësohen nga yndyra. Prandaj përdorimi i racave të rritjes së shpejtë e bën mishin të ketë më pak proteina dhe deri në 224 herë më shumë yndyrë. Ne kemi publikuar një raport ku analizojmë më shumë se 6000 fileto pule në 320 markete në të gjithë Spanjën. Me këtë lloj praktike ne kërkojmë urgjent që drejtuesit t’i japin fund rritjes së shpejtë të pulave, duke respektuar angazhimin europian. 

Në Shqipëri LiDL merr privilegje si “investitor strategjik”.

Ndërkohë që LiDL përballet me kritika serioze në Gjermani, Spanjë dhe vende të tjera, në Shqipëri kompania trajtohet si e privilegjuar. Me vendim të qeverisë shqiptare, Lidl ka përfituar statusin e investitorit strategjik, duke përfituar 200 mijë metra katrorë truall publik, procedura të përshpejtuara për leje ndërtimi dhe lehtësi fiskale dhe ndihmë logjistike.

Zoom.al ka raportuar më parë për këtë proces, që nuk është shoqëruar me transparencë mbi analizat e ndikimit në treg, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit si dhe konkurencën. Deri tani, asnjë kompani e ngjashme, e huaj apo shqiptare nuk e ka marrë statusin e “investitorit strategjik”, as Conad, as Spar, as Big Market apo Pro Natyra. Në këtë mënyrë, LiDL është favorizuar në treg përballë kompanive të tjera që kanë paguar qindra miliona euro në Shqipëri, në investime, taksa e paga. 

A do të ushqehet konsumatori shqiptar me produkte të rrezikshme?

Në Shqipëri, autoritetet për sigurinë ushqimore nuk kanë as kapacitete reale laboratorike për të hetuar për këto probleme, as ndonjë mekanizëm të fortë kontrolli për produktet e importuara në supermarketet e mëdha. Nëse 98% e mishit të pulës së LiDL në Spanjë vjen nga kafshë të sëmura, pse duhet të besojmë se produkti në raftet shqiptare do të jetë i mirë dhe i sigurt? 

 Dosja problematike e LiDL në Europë

Ky nuk është rasti i parë që LiDL përballet me skandale. Në Gjermani kompania është hetuar për produkte me përmbajtje bakteresh rezistente ndaj antibiotikëve. Në Austri, është denoncuar për abuzim të kafshëve në zinxhirin e furnizimit me mish derri. Në Francë, për mashtrim me etiketime të produkteve si “organike” ose “lokale”. Në gjithë Evropën, LiDL është hetuar për praktika të padrejta me punonjësit dhe përdorim të fuqisë së tregut për të shtypur prodhuesit e vegjël. Edhe në Shqipëri prania e kësaj kompanie ka shtuar shqetësimet se do të shkatërrojë prodhuesit e vegjël. /Zoom.al

Postime të lidhura