Aplikacion
Me një buzëqeshje prej ngadhënjimëtari, me pallto të zezë të gjatë e atelete të bardha, Edi Rama pozoi gjithë pompozitet përpara selisë së “Schwarz Group”, gjigandit gjerman që zotëron rrjetet ndërkombëtare të supermarketeve LiDL dhe Kaufland.

Fotografia është pjesë e një seti të realizuar brenda selisë së “Schwarz”, që Rama e postoi në rrjetet sociale duke i shoqëruar me një tekst që fliste për një ditë mbresëlënëse, por duke bërë edhe një paralajmërim shqetësues.
“Mirëmëngjes, dhe me FotoAlbumin e një dite mbresëlënëse në brendësinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, SchëarzGroup, ku na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi me 600 mijë punonjës si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipërinë që sipas vetë mikpritësve tanë po kthehet në kyç rajonal, ju uroj një ditë të mbarë.
Por përtej fotove zyrtare dhe fjalëve gjithë entusiazëm të kryeministrit, ky takim sinjalizon diçka tjetër, një lajm tronditës për dhjetëra mijëra sipërmarrës të vegjël shqiptarë, që mund të shënojë goditjen më të madhe që biznesi i vogël ka marrë ndonjëherë në këtë vend.
Sipas të dhënave të vetë rrjeteve të shpërndarjes së grupit gjerman, me hapjen e 50 dyqaneve LiDL, një skenar tashmë i miratuar nga qeveria shqiptare, më shumë se 10,000 dyqane të vogla familjare do të dalin nga tregu. Këto janë minimarkete, dyqane lagjeje, pika ushqimore që mbajnë në këmbë ekonominë informale dhe komunitetin.
Kompani të mëdha si LiDL operojnë me një filozofi të thjeshtë: çmime shumë të ulëta, sasi të mëdha, dominim total të furnizimit dhe eliminim të konkurrencës lokale. Për një vend si Shqipëria, ku biznesi i vogël është një nga shtyllat kryesore të vetëpunësimit, efekti do të jetë shkatërrues për biznesin e vogël.
Dyshimet janë se për të favoziruar LiDL dhe për t’i krijuar kushte sa më të favorshme tregu, Rama ka udhëruar edhe aksionin për të goditur çdo shitës që tregton pa faturë bulmet e prodhime të tjera që i marrin direkt nga fshatarët. Të gjitha këto produkte do t’i shesë LiDL në supermarkete e tij, me çmime sigurisht më të larta se ambulantët.
Në vend që të mbrojë biznesin e vogël, qeveria shqiptare po e ndihmon me gjithçka rrjetin gjerman. Ajo i ka dhënë LiDL statusin e investitorit strategjik, duke e favorizuar përballë të gjitha rrjeteve të ngjashme të supermarketeve, me dhënien e 200 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Porto Romano, ku LiDL do të ndërtojë magazinat e saj.
Ky status përkthehet në përjashtim nga taksat vendore, lehtësi doganore e fiskale dhe mbështetje të drejpërdrejtë nga institucionet me të cilat do të duhet të operojë LiDL.
Teksa LiDL merr favore, tregtarët e vegjël në Shqipëri vijojnë të përballet taksa nga më të ndryshmet dhe tani edhe me gjoba apo sekuestrim të mallit nëse e kanë atë pa faturë, përfshirë edhe çajin që mund të mbledhin vetë në mal apo qumështin e vezët që e marrin nga fermerët njësoj si tregtarët grosistë.
Nëse ardhja e LiDL mund të quhet “një ditë e mbresëlënëse” për kryeministrin Rama, për dhjetëra mijëra shqiptarë që sigurojnë jetesën dhe arsimimin e fëmijëve me dyqanet që kanë ngritur në këmbë me shumë mund, kjo është një ditë që shënon rrënimin e tyre.
Nëse plani i Ramës do të zbatohet, bizneset e vogla do të shkatërrohen dhe fitimi do të centralizohet në një kompani të madhe që fitimet do t’i eksportojë jashtë Shqipërisë. Paratë e fituara nga produktet që do t’u shesë shqiptarëve “Schwarz Group” do t’i çojë në vendin e tij.
Ekspertët paralajmërojnë se më shumë se 10,000 familje që sot mbijetojnë nga një aktivitet i vogël tregtar, do të ulin qepenat, sepse asnjë prej tyre nuk mund të konkurojë dot me një kompani të madhe, që për më tepër po merr ndihmë të drejtpërdrejtë shtetërore.
Qeveria pretendon se me LiDL do të hapë vende të reja pune, por në fakt po i mbyll ato. Nëse LiDL do të punësojë 5 mijë shqiptarë, 10 mijë familje do t’i humbin vendet e punës.
Ekspertët thonë se është e rëndësishme që publiku shqiptar të kuptojë se çdo vend pune që krijon një supermarket i ri, është një vend pune i humbur në një dyqan tjetër. “Kur Edi Rama flet për investime strategjike, ai nuk e thotë se ato zhdukin biznesin e vogël dhe vetëpunësimin” – vijojnë ata.
Në këtë mënyrë shqiptarët duhet të kuptojnë se nga “dita mbresëlënëse” e kryeministrit ata nuk fitojnë asgjë. Sepse në të vërtetë ajo që fiton është korporata gjermane, që merr toka shtetërore dhe lehtësira fiskale si investitor strategjik.
Kështu që “dita mbresëlënëse” e kryeministrit nuk është ditë e njëjtë për biznesin e vogël, pasi ardhja e LiDL në Shqipëri nuk është investim për ekonominë, por investim për grupin gjerman, është kapje e tregut nga LiDL me ndihmën e qeverisë, shkatërrim i ekonomisë së vogël, i familjeve, i të vetëpunësuarve dhe i pavarësisë ekonomike të dhjetëra mijëra familjeve.
“Dita mbresëlënëse” e kryeministrit shqiptar me shumë gjasë mund të jetë dita e falimentimit të 10,000 familjeve të ndershme, që për të mbijetuar zgjohen çdo ditë me të lindur të diellit dhe i mbyllin qepenat në mesnatë. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin