zoom

In Zoom

Investitori strategjik LiDL, miliona euro propagandë në televizionet pro-ruse në Serbi. Cilat media do të financojë në Shqipëri?

Investitori strategjik LiDL, miliona euro propagandë në televizionet pro-ruse në Serbi. Cilat media do të financojë në Shqipëri?

Për vite me radhë, gjigandi gjerman i shitjes me pakicë LiDL ka ndërtuar imazhin e një kompanie të përkushtuar ndaj standardeve perëndimore, duke promovuar etikën në biznes dhe qëndrimet pro-evropiane.

Por në Serbi, një vend ku ndikimi rus është gjithnjë e më agresiv, LiDL zgjodhi pak kohë më parë të financojë me miliona euro dy prej televizioneve më të njohura për narrativën e tyre pro-Kremlinit dhe anti-BE: TV Pink dhe TV Happy.

Sipas një investigimi të Radio Evropa e Lirë, LiDL ka qenë për një kohë të gjatë ndër reklamuesit më të mëdhenj në këto televizione, të cilët njihen për përhapjen e dezinformimit që mbështet pozicionet e Rusisë në luftën në Ukrainë. “TV Pink është ndër mediumet më të afërta me qeverinë serbe dhe më e zëshme në përhapjen e narrativave pro-ruse,” shkruan Radio Evropa e Lirë.

Një grup deputetësh të Parlamentit Europian u drejtuan një letër zyrtare kompanive LiDL, Coca-Cola, Bosch dhe L’Oréal, në të cilën ngritën alarmin për faktin se reklamat e tyre ushqenin financiarisht një ekosistem mediatik që minon demokracinë dhe përhap propagandë ruse në zemër të Ballkanit.
“Ky është një rrezik për sigurinë evropiane”, do të deklaronte eurodeputeti Andrey Kovatchev, një ndër iniciatorët e letrës.

Duke iu referuar këtij rasti, Kovatchev i tha Politico-s se “narrativat antidemokratike nga forcat malinje janë një kërcënim i rëndë për demokracinë tonë”, veçanërisht “në këtë vit vendimtar zgjedhor”.

Çfarë bëri LiDL? Fillimisht, asgjë. Heshtja e kompanisë u bë pjesë e problemit. Vetëm nga mesi i vitit 2023, sipas vetë deklaratave të LiDL për median, kompania nisi të “shkurtojë ndjeshëm” investimet në TV Pink dhe TV Happy. Dhe vetëm në fillim të vitit 2024, vendosi të ndalojë tërësisht reklamimin në TV Happy. Por sipas organizatës serbe për mbikëqyrje mediatike CRTA, fondet e derdhura më parë kishin qenë të konsiderueshme dhe kishin ndihmuar drejtpërdrejt “në mbijetesën dhe rritjen e ndikimit të këtyre mediave”.

Ndonëse më në fund LiDL vendosi të tërhiqej, dëmi ishte bërë dhe me milionat e hedhura, kjo kompani u kishte siguruar televizioneve të propagandës ruse mjaftueshëm “rezerva” për të vazhduar financimin e dezinformimit të tyre. Me paratë e hedhura për Tv Pink dhe Tv Happy, për vite me radhë paratë e një kompanie perëndimore mbështetën me vetëdije prodhimin e përmbajtjes që legjitimon agresionin rus në Ukrainë, diskrediton Bashkimin Evropian dhe minon vlerat demokratike në rajon.

Në një intervistë për N1 Serbia, përfaqësues të shoqërisë civile thanë se “kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Serbi, si LiDL, nuk mund të silleshin sikur janë jashtë realitetit politik dhe se çdo euro që investojnë në media të tilla është një euro kundër demokracisë”. (n1info.rs)

Për shumë analistë, tërheqja e LiDL jo vetëm ishte e vonuar, por konsiderohet edhe një akt hipokrizie, pasi ajo erdhi vetëm pas presionit ndërkombëtar dhe jo nga ndërgjegjja e vetë kompanisë.
Rasti vjen në vëmendje për shkak se në Shqipëri, qeveria i ka dhënë kompanisë LiDL statusin e investitorit strategjik. Kompania ka përfituar 200,000 metër katrorë tokë në Porto Romano, për të ndërtuar logjisitikën e saj.

Ky akt i paprecedent rrezikon të dëmtojë konkurrencën, pasi asnjë nga kompanitë e tjera, shqiptare apo të huaja, si Conad, ProNatyra, Spar, Coop etj, nuk kanë përfituar ndihmë shtetërore në ngritjen e bizneseve të tyre në Shqipëri.

Tani mbetet për t’u parë se cilat media do të financojë LiDL në Shqipëri dhe cili do të jetë pozicioni i saj politik. Duke parë favorizimin që shteti i ka bërë, nuk do shumë për t’u kuptuar. Zoom.al i është drejtuar me disa pyetje kompanisë LiDL për të kuptuar mënyrën se si ajo përfitoi statusin e investitorit strategjik në Shqipëri, si kurrë më parë një kompani e kësaj natyre, por nuk ka marrë ende përgjigje. Pyetjet i janë drejtuar edhe Komitetit të Investimeve Strategjike, por as nga ky institucion nuk ka asnjë përgjigje. /Zoom.al

Postime të lidhura