zoom

In Zoom

LiDL, Investitor Strategjik në Shqipëri: Si po e shkatërron shteti tregun

LiDL, Investitor Strategjik në Shqipëri: Si po e shkatërron shteti tregun

Nga Zoom.al

Në prill të vitit 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) i dha kompanisë LiDL Shqipëria statusin e “Investitorit Strategjik – Procedurë e Veçantë” për projektin e një qendre logjistike prej 105 milionë eurosh në Porto Romano, brenda masterplanit të Portit të ri të Durrësit. Vendimi zyrtarisht bazohej në Ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, por ngriti menjëherë pikëpyetje për favorizime të mundshme, mbështetje të jashtëzakonshme shtetërore dhe mungesë transparence në konkurrencë.

Ligji shqiptar për investimet strategjike parashikon dy mënyra për të përfituar këtë status: përmes sektorëve të paracaktuar si strategjikë (turizëm, energji, bujqësi, etj.) ose përmes një vlere investimi mbi 100 milionë euro, pavarësisht sektorit. LiDL hyri në këtë kategori të dytë, duke përfituar procedurën e veçantë për shkak të vlerës së projektit të saj logjistik.

Në pamje të parë, gjithçka duket ligjore. AIDA, agjencia që merret me investimet strategjike, komfirmoi në një përgjigje për Zoom.al, se procedura është ndjekur sipas ligjit dhe VKM-ve përkatëse.

“ Lidhur me pyetjen tuaj të dytë, mbi përzgjedhjen e sektorëve të konsideruar strategjikë në kuptim të Ligjit nr.55/2015, i ndryshuar sqarojmë se:
Në nenin 8 të ligjit të lartpërmendur përcaktohen sektorët prioritarë të konsideruar strategjikë si dhe vlerat përkatëse tëinvestimit për secilin nga këta sektorë” – sqaron AIDA.

“Gjithashtu, në nenin 8 pika 6, citohet se:
“Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitojnë edhe investitorët/projektet investuese, për të cilat, pavarësisht se nuk janë parashikuar të realizohen në një nga sektorët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, parashikohet që vlerën totale të kapitalit investues të projektit ta kenë të barabartë ose më të madhe se 100 000 000 (njëqind milionë) Euro”- sipas kësaj pike çdo sektor që kalon vlerë e sipërcituar mund të aplikojë për përfitimin e statusit. Bazuar në sa më sipër, ashtu siç edhe jeni në dijeni, Projekti “LIDL SHQIPËRIA – QENDËR LOGJISTIKE”, ka një vlerë investimi prej 105,000,000 Euro”, -vijon sqarimin Agjencia e Investimeve Strategjike.

Por dhënia e 20 hektarëve tokë publike nga Autoriteti Portual Durrës, në një nga zonat më të lakmuara strategjikisht në vend, pa garë dhe pa transparencë publike, ka krijuar jo pak shqetësime. AIDA deklaron se kontrata e qirasë nuk do të jetë simbolike “1 euro”, por me kushte sipas ligjit – një frazë që mbetet ende e paqartë në mungesë të dokumenteve konkrete të qirasë.

“Lidhur me termat e kontratës së qirasë afatgjatë për vënien në dispozicion të tokës prej 20 ha, sqarojmë se kontrata e qirasë për vënie në dispozicion të projektit të investimit të pasurisë së paluajtshme në pronësi të Autoritetit Portual Durrës do të negociohet dhe nënshkruhet po nga autoriteti zhvillues APD sipas legjislacionit në fuqi. Autoriteti Portual Durrës, në cilësinë e zhvilluesit të zonës pas përfundimit të procedurave administrative dhe disponimit të pronës, të lidh kontratë qiraje afatgjatë me shoqërinë “Lidl Shqipëria” sh.p.k”. Lidhur me ecurinë e negocimit dhe nënshkrimit të kësaj kontrate, për aq sa AIDA ka dijeni, ky proces ende nuk ka filluar”, -thuhet në përgjigjen e AIDA për Zoom.al

Por a ka pasur konkurrencë të ndershme në dhënien e këtij statusi rrjetit të supermarketeve LiDL?

Ligji nuk parashikon detyrimin për njoftim apo garë të hapur për operatorë të tjerë në sektorin përkatës. Kjo do të thotë se rrjetet e tjera të supermarketeve apo operatorët logjistikë nuk janë informuar, as nuk kanë pasur mundësi të konkurojnë për të njëjtën tokë, apo për të aplikuar me projekte të ngjashme. Në një treg të pasigurt si tregu shqiptar, hyrja e një superfuqie si LiDL me mbështetje të fortë shtetërore, çon automatikisht në një shtrembërim dhe prishje të konkurrencës.

Në aspektin ligjor, LiDL nuk është favorizuar domosdoshmërisht nga qeveria. Por në aspektin praktik dhe të perceptimit publik, po. Shteti jo vetëm që i jep tokë publike një kompanie private për një projekt që nuk është në sektorët strategjikë tradicionalë, por gjithashtu i asiston me të gjitha lejet dhe procedurat, duke e trajtuar si partner të privilegjuar, në një kohë kur operatorë të tjerë përballen me burokraci të tejzgjatur dhe mungesë transparence.

Ky rast përbën një precedent se si roli i shtetit prish tregun dhe barazinë mes investitorëve dhe se si përdoret pasuria publike.

Ekspertët thonë se nëwe ky model do të ndiqet për çdo investim të madh, atëherë nevojitet rishikim i ligjit, pasi për çdo sipëfaqe publike duhet të ketë garë dhe rregulla të qarta. Përndryshe, shteti kthehet nga rregullator dhe arbitër i tregut në lojtar brenda tij, duke favorizuar palë dhe interesa të caktuara./ Zoom.al

Postime të lidhura