zoom

Ide & Blog

Kujt i qahet Edi Rama për punët e pabëra në 13 vjet pushtet?

Kujt i qahet Edi Rama për punët e pabëra në 13 vjet pushtet?

Pas 13 vitesh në krye të qeverisë, kryeministri Edi Rama del sërish para publikut për t’u ankuar se çdo e keqe që i ndodh vendit e ka fajin diku tjetër. Sot për të justifikuar përmbytjet katastrofike në Durrës, postoi një status duke u përpjekur të bindë shqiptarët se faji nuk është as i shtetit, as i pushtetit, por i qytetarëve që hedhin shishe, i shiut që bie më furishëm se zakonisht dhe i natyrës që, çuditërisht, nuk sillet sipas planeve qeveritare.

Por pyetja që vjen natyrishëm pasi sheh këtë lloj postimi është se, kujt i qahet një kryeministër pas 13 vitesh pushtet absolut?

Është e vërtetë që plehrat ekzistojnë. Po a nuk doli ai me atë zhurmën e madhe 10 vjet më parë për t’u treguar shqiptarëve se kishte gjetur si zgjidhje inceneratorët? Tani, asnjë nga inceneratorët nuk punon, as i Elbasanit e as i Fierit, ndërsa ai i Tiranës nuk është ndërtuar ende. Por paratë e inceneratorëve u shpenzuan. Janë afro 430 milionë euro.

Pastrimin e mbetjeve nëpër qytet dihet se kush e fiton. Nuk ka asnjë kompani të huaj apo me përvojë, por tendera që ndahen si llokma për të mbushur barkun e panginjur të klientëve qeveritarë.

Kanalet kulluese as nuk i ndërtojnë banorët e as nuk i pastrojnë ata. I ndërton dhe mirëmban shteti, bashkitë dhe qeveria.

Hidrovorët nuk bllokohen nga qytetarët e as nuk lirohen me statuse në Facebook, por ndërtohen pas studimeve të thelluara.

Ka vite që shqiptarët dëgjojnë refrenin “faji është i Saliut”. Por në 13 vjet pushtet, një qeveri e përgjegjshme do ta kishte gjetur kurën për fajet e një qeverie pasardhëse për të minimizuar përmbytjet, zjarret masive që djegin mijëra hektarë pyje e shtëpi të shumta apo vjedhjet galopante që s’kanë asnjë farë lidhje me qeveritë e shkuara.

Në vend që të mbajë përgjegjësi, kryeministri vazhdon të bëjë atë që ka bërë në 13 vjet, të sulmojë këdo nga frëngjia e rrjeteve të tij sociale. Sot për përmbytjet ai fajësoi qytetarët. Nesër mund t’i fajësojë edhe për korrupsionin me tenderat e rrugëve dhe për vjedhjet galopante të Ergys Agasit te AKSHI.

Në këtë pikë, qytetarët duhet të kuptojnë se shteti ka pushuar së funksionuari. /Zoom.al

Postime të lidhura