zoom

Lajme

Plehrat kanë mbuluar Shqipërinë, Rama merret me gazetaren që ia plas të vërtetën në fytyrë

Plehrat kanë mbuluar Shqipërinë, Rama merret me gazetaren që ia plas të vërtetën në fytyrë

Shqipëria po mbytet sa nga uji sa nga plehrat, por kryeministri  Edi Rama gjen kohë të merret me gazetarët që e kritikojnë dhe i tregojën se shirat e ditëve të fundit ia lanë fasadën e propagandës dhe e nxorrën qeverisjen e tij lakuriq. 

Me dashje, me qëllimin për të zhvendosur vëmendjen e publikut larg realitetit që qytetarët e shohin çdo ditë me sytë e tyre, Rama po merret një herë me Blendi Fevziun e një herë me gazetarë që thotë se i kanë komentuar, por nuk tregon identitetin e tyre. 

“O mbret (që je lakuriq), po të funksiononte inceneratori i Tiranës, këtë malin me plehra do e kishte djegur… (Milionat janë vjedhur e ti bën propagandë me ne)”, i shkruan personi që Rama thotë se është gazetare. 

LEXO EDHE: “Mafia gropos plehrat”, Kryemadhi nxjerr videon, çfarë ka ndodhur natën në inceneratorin e Tiranës

Në fillim le të përpiqemi  se përse i është bërë ky koment kreut të qeverisë së Shqipërisë. 

Përmbytjet në Durrës, Lushnje, Fier, Vlorë, Dimal e Berat nxorrën në pah male me shishe plastike, qese e mbetje urbane që kishin bllokuar kanalet kulluese, kishin mbushur shtratin e lumenjve dhe pas “lirimit” që u bënë autoritetet, kanë përfunduar në det, duke u kthyer në problem kombëtar dhe turp ndërkombëtar. 

Disa muaj më parë, pa pasur asnjë përmbytje, plehrat shqiptare u bënë lajm në mediat më të mëdha të botës, sepse pushtuan bregdetin e Kroacisë. Dubrovniku u zbulua me tonelata mbetje plastike që mbanin etiketa shqiptare. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/kroacia-mund-te-padise-shqiperine-shkak-tonelatat-e-mbeturinave/

Se si mbushen rrugët, kanalet e lumenjtë me plehra, s’është e vështirë ta kuptosh. Qytetarë e biznese të papërgjegjshëm i hedhin ato vend e pavend. Bashkitë, policia bashkiake, policia e rendit dhe agjencitë mjedisore nuk bëjnë asgjë për të ndëshkuar këta individë. Po ashtu, nuk bëjnë asgjë për t’i pastruar këto plehra. Bashkitë bëjnë tendera miliona eurosh për pastrimin. Ato i fitojnë klientë të qeverisë dhe pushtetit lokal dhe askush nuk mundet t’u kërkojë llogari për punën që nuk bëjnë. Tirana mbeti për javë të tëra pa pastruar për shkak se kompania e pastrimit kishte mosmarrëveshje me Erion Veliajn. 

Bashkitë nga ana tjetër, edhe nëse i mbledhin mbetjet, nuk kanë ku t’i dërgojnë. Durrësi i dogji disa vite më parë në landfill dhe kërkoi t’i dërgonte te inceneratori i Tiranës. Elbasani i dogji vitin e kaluar, sepse inceneratori i këtij qyteti nuk funksionon. Tirana s’e ka fare inceneratorin. Nëse do të ekzistonin inceneratorët, shumë nga tonelatat që përfundojnë në përrenj e lumenj, do të shërbenin si lëndë e parë për inceneratorët dhe çdokush do të ishte i interesuar për t’i dërguar atje. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/harrojeni-inceneratorin-elbasani-ne-kerkim-te-nje-landfilli-te-ri/

Përgjegjësia u hidhet qytetarëve, siç ka bërë kryeministri Rama këto ditë, sikur institucionet të mos ekzistonin, sikur kontrolli i territorit të mos ishte detyrim ligjor i bashkive dhe agjencive shtetërore.

Kjo është ajo që ndodh me mbetjet në Shqipëri. Por pas 13 vjetësh në pushtet, kryeministrit nuk ia ka ënda ta shohë siç është, por siç i leverdis atij. 

Në vend që të japë llogari për këtë dështim monumental, Rama sulmon gazetaren që i thotë të vërtetën në sy. Dhe e vërteta është e farë e thjeshtë: asnjë nga tre inceneratorët e Shqipërisë nuk funksionon. Zero. As Tirana, as Elbasani, as Fieri. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/impianti-nuk-ekziston-por-inceneratori-i-tiranes-do-te-djege-edhe-30-milione-euro-deri-me-2028/

Ligji është i qartë: janë bashkitë dhe institucionet shtetërore që duhet të kontrollojnë territorin. Por përmbytjet e fundit treguan qartë se askush nuk e ka bërë punën e vet. Kanale të bllokuara, lumenj të mbushur me mbetje, qytete nën ujë dhe një shtet që shfaqet vetëm pas katastrofës, për të bërë foto dhe për të gjetur fajtorë diku tjetër.

Kjo është arsyeja pse sulmi i Ramës ndaj gazetares nuk është incident, por simptomë. Kur nuk ke përgjigje për plehrat që kanë mbuluar Shqipërinë, merresh me ata që flasin. Kur nuk ke inceneratorë që punojnë, shpik armiq imagjinarë. Kur dështimi të kaplon për sysh, propaganda bëhet e vetmja mbetje që riciklohet çdo ditë.

Por sado që Rama të përdorë rrjetet e veta sociale, patronazhistët, mediat, analistët pro-qeveritarë, e vërteta mbetet aty, e dukshme fare qartë për shqiptarët e ndërkombëtarët: Shqipëria nuk po mbytet vetëm nga plehrat, poredhe nga një model qeverisjeje që shpërdoron qindra miliona euro, jeton në një realitet tjetër nga ai i shqiptarëve dhe pastaj sulmon këdo që ia plas këtë në fytyrë.  /Zoom.al

Postimi i Ramës

Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet… Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh

Postime të lidhura