Aplikacion
Qytetarë të Durrësit kanë dalë sërish në protestë këtë të premte përpara godinës së Bashkisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mungesën e dëmshpërblimit pas përmbytjeve që i kanë prekur vazhdimisht ndër vite.
Ata akuzojnë institucionet për neglizhencë dhe mungesë reagimi, pavarësisht dëmeve të mëdha të shkaktuara në banesa.
Banorët thonë se janë lënë në harresë nga autoritetet, edhe pse situata është përsëritur disa herë. Sipas tyre, asnjë përfaqësues i institucioneve nuk ka shkuar në terren për të vlerësuar dëmet, ndërsa kërkesat e vazhdueshme kanë mbetur pa përgjigje.
“Është hera e tretë që shtëpia ime përmbytet dhe askush nuk ka ardhur të shohë çfarë po ndodh. Kemi njoftuar institucionet, por na thuhet të presim derisa të largohet uji. Nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim”, u shpreh një nga protestueset.
Edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar, në disa zona uji vijon të jetë i pranishëm, duke vështirësuar jetën e përditshme të banorëve. Situata më problematike raportohet në Njësinë Administrative Sukth dhe në zonën e Katundit të Ri, ku lumi Erzen ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të shumta dhe duke detyruar disa familje të largohen nga banesat e tyre.
Një tjetër qytetar u shpreh se përmbytjet kanë krijuar rrezik serioz për shëndetin, për shkak të përzierjes së ujit me kanalizimet e ujërave të zeza. “Jemi të rrethuar nga uji dhe mbetjet. Këtu nuk jetohet më. Duam zgjidhje konkrete, jo premtime”, tha ai./ Zoom.al