zoom

Aktualitet

Banorët e Durrësit ngrihen në protestë pas përmbytjeve, tentojnë të hyjnë në bashki. Përplasje me policinë

Banorët e Durrësit ngrihen në protestë pas përmbytjeve, tentojnë të hyjnë në bashki. Përplasje me policinë

Banorët e Durrësit dolën sot në shkallët e bashkisë, të pakënaqur nga mosreagimi i autoriteteve ndaj përmbytjeve të përsëritura dhe gjendjes së kanaleve kulluese.

Protestuesit tentuan të futen brenda ndërtesës për të kërkuar përgjegjësi dhe masa konkrete, por u ndaluan nga policia.

Marshimi i tyre drejt bashkisë u shoqërua me thirrje: “Na u bashkoni!”, dhe me pankarta ku denoncohej neglizhenca e institucioneve: “Korrupsioni na mbyti, jo shiu!”.

Në kor ata brohorasin emrin e kryebashkiakes Emiriana Sako, të cilët i kërkojnë llogari për situatën aktuale.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke theksuar se shumë shtëpi vazhdojnë të jenë të përmbytura dhe pasojat ekonomike janë të mëdha.

Pjesë e protestës janë edhe dy deputetët e PD Oerd Bylykbashi dhe Arjan Ndoja.

Në Durrës u regjistrua sot viktima e parë nga përmbytjet. Ndërkohë, problematikat më të mëdha nga reshjet janë anë në zonën e Kënetës, Katund i Ri dhe Sukth si pasojë e daljes së lumit Erzen nga shtrati, ku janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë dhe shtëpi.

Sakaq, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime kryesisht për të zbuluar shkaqet që çuan në përmbytjet masive në Durrës. Hetimet kanë nisur për 3 vepra penale, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”./ Zoom.al

Postime të lidhura