Aplikacion
Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në disa qarqe të vendit të prekura rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit, duke kërkuar gjithashtu kompensim të plotë financiar për qytetarët që kanë pësuar dëme.
Kërkesa është bërë zyrtarisht nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili i është drejtuar institucioneve shtetërore për shpalljen e gjendjes së emergjencës në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
Sipas opozitës, situata e krijuar nga reshjet intensive dhe vërshimet e ujit ka shkaktuar dëme të mëdha në banesa, prona private, aktivitete ekonomike dhe infrastrukturë, ndërsa është raportuar edhe humbja e një jete njerëzore në Durrës.
Në reagimin e saj, PD vlerëson se përmasat e situatës e tejkalojnë menaxhimin normal të emergjencave dhe se strukturat shtetërore nuk po veprojnë në të gjithë territorin e prekur me intensitetin dhe përgjegjësinë e nevojshme. Sipas opozitës, mungesa e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore po krijon pasiguri tek qytetarët dhe po pengon procesin e dëmshpërblimit të plotë.