zoom

Aktualitet

DETAJE/ Kush është 54-vjeçari që humbi jetën nga përmbytjet në Durrës

DETAJE/ Kush është 54-vjeçari që humbi jetën nga përmbytjet në Durrës

Këtë të enjte u regjistrua viktima e parë nga përmbytjet në Durrës.

Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, u gjet i pajetë në një kanal në zonën e ish-repartit ushtarak.

Sipas informacioneve zyrtare, Hysenaj ishte raportuar i zhdukur prej datës 6 janar, pasi nuk ishte kthyer në banesë pas përfundimit të orarit të punës.

Trupi i tij u lokalizua më vonë, ndërsa dyshohet se humbja e jetës ka ardhur si pasojë e rrjedhës së fuqishme të ujit të shkaktuar nga reshjet intensive.

54-vjeçari ishte paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 të mëngjesit dhe kishte ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, moment kur është larguar nga ambientet e ndërmarrjes.

Rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë, familjarët, të shqetësuar nga mungesa e tij, kontaktuan përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion. Pasi u konfirmua se ai kishte dalë nga puna në mesditë, familjarët njoftuan Policinë e Shtetit për zhdukjen e tij.

Në një njoftim zyrtar, Bashkia e Durrësit sqaroi se Astrit Hysenaj kishte qenë në detyrë deri në orën 10:30 të datës 6 janar dhe se pas njoftimit nga familjarët, rasti u referua menjëherë pranë autoriteteve policore.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet apelojnë për kujdes maksimal, veçanërisht në zonat e rrezikuara nga përmbytjet./ Zoom.al

Postime të lidhura