zoom

Lajme

13 vjet në pushtet, Rama nuk rregulloi dot as autostradën Tiranë – Durrës

13 vjet në pushtet, Rama nuk rregulloi dot as autostradën Tiranë – Durrës

Autostrada Tiranë–Durrës është vetëm 30 kilometra. Tridhjetë kilometra që lidhin kryeqytetin me portin kryesor të vendit, me zonën industriale më të madhe në vend dhe me fluksin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë. E megjithatë, kjo rrugë sot është në gjendjen më kritike të mundshme.
Pamjet e gomave të çara të makinave të mbetura në mes të rrugës, kamionëve dhe autobusëve të dëmtuar, si pasojë e gropave, mbushin internetin çdo ditë.

Kjo nuk është një rrugë fshati. Është arteria kryesore e vendit. Dhe megjithatë, pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama nuk ka arritur të garantojë as standardin minimal të sigurisë për këtë aks.

Ka dhënë para herë pas here për klientët e qeverisë për ta arrnuar. Por këto ndërhyrje vetëm e kanë përkeqësuar situatën. E shohin dhe e vuajnë në kurriz çdo ditë vetë mijëra e mijëra qytetarë.
Çdo gomë e shkatërruar, çdo amortizator i thyer, çdo bosht kamioni i dëmtuar është para e hedhur dëm e qytetarëve dhe e bizneseve. Janë miliona euro dëme të akumuluara në vite, të paguara nga shoferë privatë, kompani transporti, biznese të ndryshem.
Por kjo nuk e shqetëson Ramën. Ai s’po paguan asgjë. Janë shqiptarët që paguajnë për çdo punë të pabërë prej qeverisë së tij dhe për çdo kaprico tjetër, si 110 milionë eurot e Becchettit.

Nuk e shqetëson sepse nuk i intereson. I intereson vetëm fasada. Për shëmbull, në vend që t’i çonte 11 milionë euro për kanalizime e hidrovorë në Durrës, i çoi me këmbëngulej për veljerën. 11 milionë euro për një ngrehinë betoni që shndërrohet në pishinë të pakalueshme sa herë ka shira. Se mijëra familje humbën gjithçka nga këto dy ditë përmbytje, edhe pse reshjet nuk ishin aq drastike, nuk i intereson. Mjafton që veljera të duket bukur dhe ta postojë në ndonjë foto me perëndim në Facebook.

Në 13 vjet pushtet, 30 kilometër rrugë do të ishin ndërtuar nga e para 13 herë. Por në vend të rrugëve, ndërtohen rendera me projekte virtuale për të trullosur nga mendja një popull të varfër e të paarsimuar, që më shumë mërzitet për një sharje në tik-tok sesa për vjedhjet galopante që u bëne taksave të tyre. Dhe në fund, në vend që t’i shkojnë me të gjitha makinat e dëmtuara para kryeministrisë për t’i kërkuar llogari se si ka mundësi që nuk hidhet një dorë asfalt në rrugën më të rëndësishme të vendit, qahen sërish në tik-tok. /Zoom.al

Postime të lidhura