zoom

Aktualitet

Rrëshqitje masive dheu në Përmet, rrezikohet jeta e banorëve

Rrëshqitje masive dheu në Përmet, rrezikohet jeta e banorëve

Një situatë tejet alarmante është regjistruar në fshatin Maleshovë të Përmetit, ku rrëshqitjet masive të dherave, të shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, kanë vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën dhe banesat e disa familjeve.

Sipas një denoncimi të bërë nga një banor i zonës, tetë shtëpi ndodhen aktualisht buzë një gremine të krijuar rishtazi, ndërsa për tre prej tyre rreziku është i menjëhershëm, pasi distanca mes rrëshqitjes dhe themeleve ka mbetur vetëm rreth një metër.

Banorët shprehen se në zonë është formuar një humnerë me gjatësi rreth 300 metra dhe thellësi mbi 40 metra, e cila po zgjerohet vazhdimisht. Lëvizjet e dheut janë të pandërprera dhe kanë shkaktuar lëkundje të forta në banesa, duke rritur frikën për një shembje të mundshme në çdo moment.

“Situata është dramatike. Çdo orë që kalon rreziku shtohet. Shtëpitë po lëkunden sikur të ishte tërmet dhe jetojmë me frikën se mund të përfundojmë në greminë”, shprehet një nga banorët e zonës, i cili kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet.

Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve që të kryejnë verifikime në terren, të marrin masa emergjente dhe, nëse është e nevojshme, të evakuojnë familjet e rrezikuara, përpara se situata të përshkallëzohet në një tragjedi me pasoja për jetën njerëzore./ Zoom.al

Postime të lidhura